Numërohen rreth 99 për qind të votave, ky është rezultati deri më tani

15 shkurt 2021 | 11:10

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka numëruar rreth 99 për qind të fletëvotimeve nga 2 mijë e 336 vendvotime.

Në ueb faqen e KQZ-së janë transmetuar rezultat, ku tregohet se kanë mbetur pa u procesuar vetëm edhe 46 vendvotime.

Sipas këtyre rezultateve Vetëvendosje në krye me Albin Kurti që njëherit është edhe kandidati për kryeministër po prinë me 48, 17 për qind. Pas saj është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 17.35 për qind.

Kjo parti udhëhiqet nga Enver Hoxhaj që njëherit ishte edhe kandidati për kryeministër në këto zgjedhje të përkohshme parlamentare për të cilat u votua të dielën, pra më 14 shkurt.

Ndërsa partia e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës ( LDK). Deri më tani kjo parti e cila kishte kandidat për kryeministër Avdullah Hoti ka 13.18 për qind. Kurse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.42 për qind dhe Nisma me 2. 59 për qind.

Këto janë rezultatet preliminare e të cila nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Ndërsa mbrëmë, kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti në konferencën për medie tha se fitorja e VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit do të mbahet gjatë në mend dhe se në kujtesë do të jenë edhe rreshtat e gjatë pranë shkollave dhe votimi masiv i mërgatës.

Ai ndër tjera ka thënë se mandatin e ardhshëm qeverisës nuk do të hakmerret ndaj askujt, por që do të kërkojnë përgjegjësi dhe drejtësi kudo.

Ndërkohë në konferencë për media, doli edhe kandidati tjetër për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj ka deklaruar  se partia të cilën ai drejton nuk do të jetë pjesë e qeverisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithëkëtë ai ka thënë se rezultati është i qartë për ta dhe se është pranuar i tillë, madje ka uruar për këtë rezultat Lëvizjen Vetëvendosje.

Rezultatet u pranuan edhe nga partia e tretë, LDK-ja. Avdullah Hoti tha se pas vlerësimeve të marra për rezultatin preliminare, do të merr përgjegjësi për humbjen e thellë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Ai ka falënderuar votuesit për besimin e dhënë, derisa theksoi se LDK do të jetë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës.

Kujtojmë që në dhjetorin e 2020-ës, Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës të drejtuar nga Avdullah Hoti, vendim ky që pasoi pas kërkesës së lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e ligjshmërisë së pjesëmarrjes në votim për qeverinë e udhëhequr nga Lidhja Demokratike të deputetit Etem Arifi, i cili ishte i dënuar me 1 vjet e 3 muaj heqje lirie për “mashtrim me subvencione”.

Qeveria e Hoti ishte votuar me 61 vota në parlamentin me 120 vende, minimumi i mundshëm për konfirmimin e një qeverie të Kosovës, e cila kishte nevojë vetëm për një votë më shumë se 50 për qind për t’u miratuar.

E që pa votën e Arifit, ky minimum nuk do të ishte arritur.

Arifi më 3 qershor votoi në favor të ngritjes së qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti.

Etem Arifi, në prill të vitit 2018, ishte dënuar me dy vjet burgim, për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove. Dënimi i zotit Arifi, ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit, të datës 20 gusht 2019, me të cilin dënimi me burgim ishte ulur në një vit e tre muaj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtari i lartë i Nisma socialdemokrate, Vesel Krasniqi, një ditë…