Numërohen votat në Mitrovicë, Bedri Hamza është kryetari i ri i Mitrovicës
Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës do të jetë kryetari i ri i Mitrovicës së Jugut. Votat tashmë janë numëruar dhe sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Hamza ka marrë mbi 53. 86 për qind të tyre, duke e shmangur kështu balotazhin.
Kryetari në ikje dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të kësaj komune, Agim Bahtiri ka humbur, duke marrë 34.40 për qind të votave.
I treti ka dalë kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Agolli, i cili ka marrë 11.74 për qind të votave.
Bahtiri humbi pas dy mandateve në krye të kësaj komune. Ai ka thënë sot se mbrëmë e ka uruar Hamzën për fitoren.
“Mbrëmë kam telefonuar kundërkandidatin Bedri Hamza, të cilit i urova fitore. Në këtë bisedë të shkurtër, e sigurova që të gjitha punët do të jenë të përgatitura për t’ia përcjellë kur të vjen procesi i pranim-dorëzimit dhe kërkova që projektet e filluara mos të ndërpriten”, ka shkruar Bahtiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Edhe Agolli nga LDK-ja ka uruar Hamzën për Hamzën.
“I uroj Bedriut për rezultatin e arritur, uroj që ai ta respektoj vullnetin e qytetarëve me përulësi”, ka thënë Agolli.