Numri i serbëve të larguar nga FSK-ja arrin në 51, Berisha kërkon ndërhyrje ndërkombëtare
Numri i pjesëtarëve serbë që kanë paraqitur kërkesa për t’u larguar nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka arritur në pesëdhjetë e një (51). Largimi i tyre ka ardhur si pasojë e kërcënimeve dhe presioneve nga Beogradi.
Madje disa janë sulmuar, ndaluar gjatë kalimit kufitar në Serbi si dhe janë kërcënuar për dënimin deri në 10 vjet burgim, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në “formacionet e huaja të armatosura”.
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka thënë se ata nuk kanë mundur t’u bëjnë ballë presioneve të jashtme dhe kanë vendosur kundër vullnetit të tyre të heqin dorë nga karriera profesionale.
“Në bazë të të dhënave që i kemi, deri më tani 51 pjesëtarë kanë bërë kërkesën për shkëputjen e kontratës dhe shumica e arsyeve janë presionet nga jashtë që nuk kanë mundur t’i përballojnë dhe është për keqardhje që ata nuk kanë mundur, ne e kuptojmë situatën. Kjo është një betejë të cilën e fitojnë vetëm ata që qëndrojnë një minutë më gjatë”, ka deklaruar Berisha.
Ministri Berisha ka vlerësuar se edhe ndërkombëtarët duhet të luajnë rolin e tyre në parandalimin e presioneve nga jashtë ndaj pjesëtarëve të FSK-së për të braktisur këtë forcë. Ai ka bërë me dije se kryeministri Ramush Haradinaj u është drejtuar me një letër të gjithë ambasadorëve të shteteve që e kanë njohur Kosovën dhe NATO-s.
“Mendoj se edhe faktori ndërkombëtar duhet ta ketë rolin e vet, sepse nuk është vetëm synim i yni, por edhe i NATO-s dhe partnerëve tanë që të ndërtojmë një forcë të sigurisë multietnike”, ka thënë Berisha.