Numri i llogarive bankare tejkalon numrin e përgjithshëm të popullsisë
Numri i llogarive bankare e ka tejkaluar numrin e përgjithshëm të popullsisë, çka do të thotë se mesatarisht çdo banor në Shqipëri ka të paktën një llogari bankare.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri total i llogarive të klientëve në sistemin bankar shqiptar gjatë vitit 2017, arriti në 3.14 milionë. Nga të cilat 94% e këtyre llogarive bankare aktive i takojnë individëve dhe pjesa tjetër atyre jorezidentë.
Një hop cilësor në këtë sektor, evidenton Banka e Shqipërisë ka shënuar edhe rritja e numrit të llogarive bankare të lidhura me internetin. Aktualisht numërohen 322 mijë llogari që aksesohen përmes shërbimit të internet banking ose 54% më shumë krahasuar me një vit më parë, shkruan “Atsh”.
Zhvillimi i teknologjisë dhe përmirësimi i edukimit financiar po çojnë gjithnjë e më shumë sektorin financiar drejt reduktimit të parasë kesh dhe formalizimin e sektorit. Në Shqipëri, operojnë 16 banka tregtare, pjesa më e madhe e të cilave me kapital të huaj.