Nura dhe Lushtaku takojnë oficerin e FSK-së, Bajram Geci
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura dhe nënkryetari Sami Lushtaku, kanë mirëpritur të premten në takim oficerin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bajram Geci nga Lluasha e Skenderajt, i cili shquhet për kontributin e tij në profesionalizmin e FSK-së.
Kryetari Nura dhe nënkryetari Lushtaku i kanë ndarë Gecit stemën e Komunës së Skenderajt dhe mirënjohje me këtë motivacion: “Kontribut të madh në profesionalizmin dhe ngritjen ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si ushtarak i zoti dhe instruktor ligjërues në Akademinë e Mbrojtjes së FSK-së. Përveç arritjeve tjera profesionale, ka përfunduar me sukses mandatin si instruktor në Akademinë Ushtarake Mbretërore Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar”.
Gjatë diskutimit, oficeri Geci, i cili shumë shpejt pritet të gradohet me titullin ushtarak të kapitenit, u ka bërë thirrje të rinjve të përfshihen sa më shumë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të masivizuar më shumë këtë forcë si ushtri të Kosovës.