Nura publikon foto me Adem Jasharin në Ditën e Veteranit: Të ruajmë lirinë dhe ta çojmë Kosovën përpara
Ish bashkëluftëtari i Adem Jasharit, njëherit kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura, ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e tij të thellë për sakrificën dhe trimërinë e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një postim në Facebook për Ditën e Veteranit, Nura ka theksuar rëndësinë e përkushtimit ndaj atdheut dhe nderimit të sakrificës së dëshmorëve dhe luftëtarëve të UÇK-së.
Nura publikoi edhe një fotografi të papublikuar më herët, ku shihet me komandantin legjendar, Adem Jasharin.
“Sot, sikurse edhe gjithë jetën time, i përulem me respekt të thellë sakrificës dhe trimërisë së të gjithë juve që luftuat për liri. Nderime të thella të gjithë veteranëve të UÇK-së, simbolit të dinjitetit dhe krenarisë kombëtare.
Të mos na dëshpërojnë furtunat e jetës, e të mos pyesim asnjëherë se çfarë bëri atdheu për ne, por të pyesim gjithmonë vetën se çfarë ne bëmë dhe mund të bëjmë për atdheun.
Si bashkëluftëtar i komandantit legjendar Adem Jashari, kam përjetuar nga afër se çfarë është vendosmëria, guximi dhe dashuria për atdheun. Kurrë të mos harrojmë idealin e shokëve tanë që Kosovës ia falen jetën! Ta ruajmë lirinë dhe ta çojmë përpara Kosovën!
Të jehojnë jetë e mot krismat e pushkëve të lavdisë mbi qiellin e lirë së Kosovës!
Lavdi dëshmorëve të kombit!”, ka shkruar Nura në Facebook.