Nuredin Ibishi: Taksa e dha efektin, tani të dëgjojmë këshillat e SHBA-së
Raportet Kosovë – SHBA dhe mos miratimi i kërkesës së zyrtarëve amerikanë për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe nga qeveria e Kosovës mbetët temë kryesore në vendin tonë.
Së fundmi është raportuar se SHBA ka filluar të zbatojë sanksionet ndaj Kosovës në tetë programe trajnuese që lidhen me çështjen e sigurisë.
Lidhur me këtë çështje ka folur njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, i cili mendon se institucionet tona duhet të veprojnë sa më shpejtë dhe t’i dëgjojnë këshillat amerikane kur kemi të bëjmë me pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe.
Ai ka thënë se këto masa janë të pritura pas letrës së presidentit Trump dhe kërkesave të zyrtarëve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Departamentit të shtetit, por njëkohësisht edhe autoriteteve tjera, gjegjësisht të ambasadorit amerikan në Kosovë për pezullimin e taksës.
“Nëse taksa nuk pezullohet së shpejti masat do të zbatohen dhe do të fillojë në një formë sanksionimi për mosmbështetje të FSK-së dhe programeve trajnuese për siguri. Kjo është një prej masave që tashmë është ndërmarrë. Pastaj e kemi anulimin e vizitës së komandantit të gardës kombëtare të IOWA-s dhe tash pason edhe sanksionimi për 14 studentë në trajnimin pesë mujor në Qendrën ‘Xhorxh Marshall’”, ka thënë Ibishi.
Kjo masë sipas tij e dëmton shumë Kosovën, pasi SHBA-në e kemi partnerin më strategjik si në kohën kur na është dashur më së shumti për lirinë e Kosovës, por edhe tash kur duhet të ngrisim kapacitetet e FSK-së.
“Fillimi i zbatimit të këtyre masave tregon qartë se SHBA-të e kanë seriozisht dhe njëkohësisht është një kritikë ndaj autoriteteve tona që nuk po ndërmarrin masa që këtë taksë ta suspendojnë për një kohë.
“Taksa ka e realizuar objektivin e vet. E ka dhënë efektin. Çështja tjetër lidhet në raport me SHBA-të, por edhe me partnerët tanë me Bashkimin Evropian. Mendoj se në këtë rast ne duhet në një formë ta mbajmë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-të dhe normalisht në këso raste duhet të veprojmë sepse na rrezikohet bashkëpunimi me SHBA-të, të cilat na kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë e sidomos në planin e sigurisë kombëtare”, ka shtuar Ibishi.
Ai pezullimin e taksës nuk e sheh si kushtëzim të Serbisë, por si vendim që duhet marrë për ta ruajtur miqësinë me SHBA-në dhe e cila mundëson vazhdimin e dialogut.
“Kjo nuk është heqje e taksës por suspendim i përkohshëm. Nuk dua ta adresoj këtë çështje personalisht në Haradinajn, Thaçin apo Veselin, por realisht ne duhet të ndërmarrim diçka që kjo situatë të tejkalohet”, ka nënvizuar Ibishi.