Nuredin Lushtaku para gjykatës: Rasti është i montuar kundër meje dhe familjes time
Në Gjykatë Themelore në Mitrovicë po mbahet seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-nënkryetarit të Skenderajt, Nuredin Lushtaku, dhe dy personave të tjerë të dyshuar se ishin përfshirë në rastin ku u plagosën dy policë në Skenderaj, të shtunën rreth mesnatës.
Lushtaku, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes së tij, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
“Rrethanat e këtij rasti konsideroj se janë te montuara kundër meje dhe familjes time”, tha Lushtaku.
Ai tha se duke i dëgjuar fjalët e prokurorisë, e çudit fakti se si polici po bëhet viktimë nga prokuroria.
“Me sa unë e di i kanë edhe dy mjete të tjera ose tri, nëse e sheh që po rrezikohet prej masës ose prej dikujt, e fundit është mundësia e përdorimit të armës, nga policët e tjerë e kam parë që kanë përdorur sprej.
Çka kish ndodhë nëse edhe ata të gjithë i kishin nxjerrë revolet dhe na kishin drejtu neve, kur është nxjerrë revolja ne jemi tut që po vrahemi, masi që ka gjujt polici me revole, secili veprim ka qenë i ndikuar nga frika e te shtënave, dhe për me ja hjeke revolen mos me vra dikon,” tha ai para trupit gjykues.
Ish-numri dy i Skenderajt shtoi se askush nuk ka nevojë të ketë frikë prej tyre, as policia dhe as prokuroria.