Nurellari lavdëron listën e PDK-së: 70% e kandidatëve janë emra të rinj
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, ka lavdëruar listën e PDK-së për deputetë.
Ai ka bërë me dije se nga 110 kandidatë, 75 prej tyre garojnë për herë të parë.
Në profilin e tij në “Facebook”, Nurellari ka shkruar se kjo është dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë për të ecur në hap me kohën.
“Lista e Partisë Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 9 Shkurtit 2025 shpalos një ndryshim të jashtëzakonshëm dhe të prekshëm: nga 110 kandidatë, 75 garojnë për herë të parë. Kjo është dëshmi e qartë e vendosmërisë sonë për të ecur në hap me kohën, për t’u rinovuar dhe për t’u përshtatur me kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. 70% e kandidatëve janë emra të rinj të njohur në komunitetet e tyre si profesionistë të shkëlqyer, intelektualë të rinj dhe personalitete të dëshmuara që e ndjejnë përgjegjësinë e të qenurit në shërbim të vendit dhe nuk kanë hipotekë nga e kaluara”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se PDK-ja e ka kuptuar thirrjen e qytetarëve.
“Ne kemi dëgjuar zërin e qytetarëve dhe kemi kuptuar thirrjen për ndryshim dhe përmirësim. Partia Demokratike e Kosovës ka treguar se ka forcën dhe guximin për të ndryshuar veten, sepse vetëm kështu mund ta bëjmë Kosovën më të mirë. Me Kryeministrin Z. Bedri Hamza në krye, ky ekip garanton rikthimin e vendit në rrugën e zhvillimit, përparimit dhe përmirësimit të jetës, rehabilitimin e partneritetit me aleatët dhe rikthimin e besimit për të ardhmen, duke ndalur emigracionin masiv. Bashkohuni me ne në këtë rrugëtim transformues për një Kosovë më të mirë. Së bashku, mund ta ndërtojmë një të ardhme më të ndritur, plot mundësi dhe shpresë për të gjithë!”, ka shkruar ai.