Nushi për Kurtin: E ka ngritur në qiell një person i cili kur është vrarë ishte duke u gjykuar për krime lufte ndaj shqiptarëve

17 janar 2023 | 22:05

“Opozita e atëhershme, Qeveria e sotme nuk ka lënë gjë të zezë pa thënë për këta politikanë që kanë nderuar apo kanë bashkëpunuar me politikanë të tillë të minoritetit serb. Ju e dini çfarë i kanë bërë Ramush Haradinajt si kryeministër kur është takuar me Radojçiqin në zyrën e tij, thoshin po e rehabiliton një kriminel. Çfarë ka bërë dje zoti Kurti me një veprim, unë nuk di, unë hesapin s’mundem të ia bëj atij veprimi mirëpo e ka përlartësuar, e ka dërguar në piedestal, e ka dërguar në qiell një person i cili kur është vra ka qenë duke u gjykuar për krime lufte ndaj shqiptarëve e po ashtu, i akuzuar edhe me dëshmitar të gjallë për spastrimin etnik në Veri”.

Kështu ka deklaruar Nol Nushi nga radhët e Partisë Socialdemokrate (PSD) në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, aty ku mbrëmjen e së martës po diskutohet lidhur me politikanin serb, Oliver Ivanoviq.

Në një komunikatë të 3 shkurtit 2019, partia e Albin Kurtit thoshte se dënimi i politikanit serb Oliver Ivanoviq ishte gjysmak, derisa e akuzonte për vrasjen e dëbimin e shqiptarëve të rënë me 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000.

Në ditët e sotme, 4 vjet më pas kryetari i kësaj partie e tashmë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lartësoi figurën e kontributin e Ivanoviq në një video të veçantë në përvjetorin e vrasjes së tij.

Lidhur me këtë, Nushi ka thënë se nuk mban mend që Ivanoviq të kishte pasur një rol në shtetndërtimin e Kosovës.

“Për këtë figurë, deri dje praktikisht, unë e di që ka pasur konsensus në Kosovë, të paktën nga shumica shqiptare. Është ditur që është pjesëmarrës në krimet e luftës, është pjesëmarrës në krimet e pasluftës si udhëheqës i “Rojave të Urës” të  cilët e kanë shkaktuar pastrimin etnik të Veriut të Mitrovicës dhe e kanë ndërruar gjendjen demografike në atë zonë, po ashtu ka qenë anëtar apo sekretar në Ministrinë e Qeverisë së Serbisë për Kosovë, unë nuk e di ndonjë rol të tij përgjatë kësaj kohe i cili është në kuadër të shtetndërtimit, apo pozitiv në shtetndërtimin e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ajo çka Nushi konsideron të veçantë, është se sipas tij, Ivanoviq është një figure e nderuar edhe nga Kurti dhe nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Çka është e veçantë se ndoshta është e vetmja figurë që nderohet edhe prej Kurtit edhe prej Vuçiqit…janë të dy liderë popullistë dhe autoritarë të cilët mbi kufoma tentojnë të instrumentalizojnë situata të ndryshme për të iu kundërvënë njëri-tjetrit”, ka deklaruar ai.

Krahas kësaj, deklaratën e Kurtit mbi Ivanoviq, Nushi e ka cilësuar si një fyerje ndaj të mbijetuarve të veprimeve të Ivanoviq.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari dhe familjari i viktimave të masakrës në Rrugën e…