NUSJA E PRARUAR
Bedri Tahiri
Retrospektivë: Kosova 10 vjet shtet
Vetëm ata që janë të gatshëm të vdesin për të, e dinë se ç’është liria / A. Stal
“Na ishte njëherë një Nuse e Praruar, e cila, e ndryrë në kullën e fildishtë, me dekada e shekuj, priste e priste dorën e fatit e të trimit që t’ia hiqte vellon e nusërisë. Për të u sakrifikuan breza e breza luftëtarësh e dijetarësh shqiptarë por, kot. Ajo nuk vinte se nuk vinte dot, por qëndronte e mbyllur, larg syve të njerëzisë, mu si shtojzovallet belholla në lugjet e Krojeve të Bardha në Lugjet e Verdha. Kurmi i saj hirplotë kishte çmim shumë të lartë dhe kundërmonte veç erë gjaku…”.
Kështu do të nisë rrëfimi, pas ca e ca motesh, për ngjarjen më të madhe të historisë sonë. Dhe, ata që rrëfejnë, veçan ata që dëgjojnë, do ta marrin si ndonjë tregim imagjinues, me përmasa përrallore a biblike. Mbase, edhe nuk kanë shumë faj, sepse ashtu vajti puna e kësaj Nuseje të shumëpritur…
E diela e madhe e shtatëmbëdhjetë shkurtit të vitit dy mijë e tetë gdhiu pa futur gjumë në sy. Dasma e madhërishme kishte nisur edhe më herët. Atmosfera e saj mahnitëse po e tundte në themel gjithë vendin e shqipeve. Madje, jehu i saj dëgjohej edhe tej e tej, deri në skajet e globit. Këtë ditë, bashkë me njerëzit, po festonin fushat e malet, katundet e qytetet, kodrat e lugjet, brinjat e gërxhet, përrenjtë e lumenjtë. As kënga e zogjve nuk kishte të ndalur. Ah, për zogjtë mos të lodhemi fare, ata ia thanë këngës edhe atëherë kur gjëmonin grykëhollat tona çlirimtare.
Po dielli ç’kishte vallë që po vendnumëronte?! Çapat e tij në horizont nuk dukeshin që po lëviznin fare. Rrezet e arta, sado që ndrinin fuqishëm, nuk arrinin dot ta zbusnin acarin, që si me shpatë, grinte pamëshirshëm. Sidoqoftë, acarziu veçse koritej atë ditë, sepse nuk mund ta pengonte dot kremten e jashtëzakonshme. Ata që suksesshëm patën sfiduar betejat dhe përleshjet e përgjakshme, ku ndjenin për të ftohtët?! Jo xhanëm, jo, zjarri i zemrave të tyre, ngjashëm me krateret e vullkaneve shpërthyese, shkrinte çdo gjë para vetes…
Dhe, ora e madhe e historisë po afronte!
Toka e qielli shëmbëllenin në fazën e hershme të krijimit të gjithësisë, kur Hyji, me kandil në dorë, zbriste shkallëve të parajsës.
Erdhi edhe pasdreka.
Ora pesëmbëdhjetë e pesëdhjetë minuta.
Një akordim melodik me kohën e zonjës së nderuar Amerikë.
Çasti më vendimtar për shqiptarët, madje edhe për mbarë njerëzimin po trokiste si një kambanore ogurmirë. Akrepat e orës shënonin pikën kulmore që ndante dy epoka: të djeshmen dhe të sotmen, errësirën dhe dritën, robërinë dhe lirinë, egërsinë dhe civilizimin, dhunën dhe paqen, injorancën dhe diturinë, tiraninë dhe demokracinë…
Në atë çast solemn e të papërsëritshëm, aty, në Sallën e Parlamentit, po ngjiste mrekullia!
Sakaq, Dhëndri e Nusja, ballë për ballë:
-Më në fund erdhe, Nuse!
-Jo, Dhëndër, as kësaj here nuk erdha vetë, por ju erdhët e më morët. Unë, këtupari isha përherë, sepse, që nga ilirët e lashtë ushqehesha me gjakun tuaj. Mirëpo, lufta Juaj e fundit çlirimtare, gjaku i dëshmorëve të UÇK-së dhe sakrifica e mbarë popullit, fituan përkrahjen e arsyeshme të botës së civilizuar dhe kështu mu hap rruga e sigurt për në shtëpinë tuaj.
Më erdhi mirë, që kësaj radhe, të gjithë folët me një gjuhë, të gjithë ishit të një mendjeje dhe të një synimi, andaj edhe më fituat mua. Edhe sot, në këtë ditë të shenjtë, u treguat të denjë së kurrë. Dasmorë të tillë; të sjellshëm, të matur, të kujdesshëm, të disiplinuar, nuk kishte parë bota më parë. Kjo tregon se jeni popull i lashtë dhe me traditë. Zaten, kjo nuk do shumë mend, kur ju e kishit shtetin tuaj, Ilirinë, shumica e popujve përreth qëndronin maje degësh pemësh e lisash…
-Të lumtë goja Nuse! Të gjitha, sa i the, janë të vërteta. Sot, pas kaq e kaq vuajtjesh e përpjekjesh, pas gjithë atyre sakrificash mbinjerëzore, po e kurorëzojmë ëndrrën shumëshekullore të të gjithë brezave. Për Ty dhamë shumë, më shumë se kushdo tjetër, andaj kjo ditë do të mbetet Dita më e Madhe e historisë sonë…
Dhe, nuses së praruar me emrin Pavarësi, i shkëlqente kurora në kokë, në të cilën, me shkronja të argjendta ishin stolisur dy fjalë: Republika e Kosovës!
Andaj, sot, në këtë jubile, në këtë 10-vjetor, kemi të drejtë të urojmë:
Gëzuar pavarësia Kosovë!
Pavarësia
Nëpër mote, dekada e shekuj
Për trojet tona u flijuam
Dhe pemën e ujitur me gjak
Asnjëherë nuk e shijuam
Brezi brezit amanet
Gjakimet për liri
Luftërat dhe sakrificat
Të dhanë shpirt Pavarësi
Sot erdhe me këmbë të mbarë
Oj Nuse me shumë prikë
Në ballë të shkëlqyeka madhërishëm:
Kosova republikë!