Nxehtësia në sallat e Panairit të Librit, e papërballueshme për vizitorët e shumtë

09 qershor 2018 | 11:03

Panairi i Librit i sivjetmë në Prishtinë, i cili ka filluar më 5 qershor, po u krijon vështirësi lexuesve që ta vizitojnë këtë panair për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve jo të mira brenda kësaj hapësire.

Shumë lexues shprehen të pakënaqur me kushtet që janë brenda, pasi që mungojnë pajisjet freskuese të ajrit dhe për shkak të numrit të madh të lexuesve brenda objektit, ajri rëndohet edhe më tej dhe kjo nuk nuk po i lejon vizitorët të përqendrohen në përzgjedhjen e librave.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Daut Demaku, ka thënë për “Ekonomia Online” se shpreson që kjo gjendje të ndryshojë në panairet e tjera, pasi që kjo situatë nuk po u ofron lexuesve komoditet që të eksplorojnë librat e ndryshëm të cilët janë të qasshëm në panair.

Sipas Demakut, çmimet e librave në panair janë më të volitshme sesa zakonisht, prandaj edhe fluksi i  vizitorëve është mjaft i madh.

“E kemi analizuar, është përvojë që e njohim e dimë, është gati e papërballueshme sidomos për ata që qëndrojnë tërë ditën këtu, edhe vizitorët e kanë të vështirë, por ata të paktën munden të dalin e hyjnë më shpesh dhe kjo që ndodh një herë në vit edhe lexuesi duhet të ketë komoditet dhe kjo nuk varet nga ne”, ka thënë Demaku.

Ai ka thënë se hapësirat e tjera për ta mbajtur panairin janë shumë larg.

“Është një hapësirë e panairit që është bërë në Shkabaj, por është jashtëzakonisht larg dhe e papërshtatshme për lexuesit që t’u ofrohet lexuesit afërsi dhe komoditet. Nuk kemi pasur zgjidhje tjetër, kjo ka qenë zgjedhja e vetme dhe në këto kushte nuk besoj që do të organizohet më në këtë mënyrë, por kjo ka qenë e vetmja mundësi, aspak e përshtatshme, aspak e këndshme sidomos ambienti i librit, i cili e do një komoditet, analizë, qetësi që të analizohen librat dhe zgjedhje, por nuk kemi zgjidhje tjetër. Shpresojmë që të bëhet një renovim i këtij pallati një ditë, Pallatit të Rinisë tash që po zgjedhet pronari i tij dhe ndoshta salla e madhe do të jetë shumë më funksionale për hera të tjera”, ka thënë Demaku.

Ndërsa shkrimtari Ag Apolloni ka thënë se kushtet nuk janë aspak të mira dhe, sipas tij, ky edicion është njëri ndër edicionet më të padurueshëm për shkak të nxehtësisë së madhe që është brenda.

Ai për “Ekonomia Online” ka thënë se në panairet jashtë vendit që ai ka parë çdo kund është më mirë dhe asgjë nuk ka të ngajshme me panairin që mbahet në Kosovë, pos librave që janë të pranishëm.

“Kushtet këtu nuk janë të mira, prej panaireve që mbaj mend dhe edicioneve që përcjelli, janë diku 17 edicione, mendoj që ky është edicioni më i padurueshëm për shkak të nxehtësisë tepër të madhe dhe thjesht blerësit, lexuesit që vijnë këtu, po i shoh te tezgat po më duket se po i kalojnë shpejt e shpejt librat pikërisht prej nxehtësisë. Sigurisht kjo duhet me u rregullu, duhet organizatorët të jenë më të kujdesshëm, duhet të sjellin freskuese, duhet të kujdesen pak për ajrimin se kjo po sjellë frikë”, ka deklaruar ai.

Apolloni tha se investimet të cilat janë duke u bërë nuk janë duke u parë në praktikë, pasi që mungojnë gjërat esenciale për një komoditet më të mirë për lexuesit.

“Ministria e Kulturës e di që investon, edhe komuna investon, por se ku shkojnë ato investime këtë nuk e di. Dallime në mes këtij panairi dhe panaireve të tjera ka sa të duash, vetëm ngjashmëri nuk gjen, përvec librave, dhe diçka tjetër jo, krejt në kushte tjera veprojnë të tjerët dhe këtu është tmerr”, ka thënë Apolloni.

Mursel Murseli, mërgimtar, tregoi se arsyeja e vizitës së tij në vendlindje ka qenë pikërisht ky panair, por ai tha se nuk po i lë përshtypje të mirë hapësira brenda panairit pasi që temperaturat janë tepër të larta dhe fluksi i madh i lexuesve brenda po e vështirëson edhe më shumë këtë gjendje.

“Unë jam mërgimtar dhe kam ardhur enkas për këtë panair. Me thënë sinqerisht mua nuk po më pëlqen, temperaturat nuk di, por unë personalisht nuk po mundem me e përballu”, ka thënë Murseli.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës të Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka…