Nxënësi i ‘Mehmet Akif’-it pranohet në njërin ndër universitetet më të mira në botë
Pas një viti shkollor plot suksese të nxënësve së “Mehmet Akif”-it në olimpiadat vendore dhe kombëtare, sërish sukseset nuk ndalen.
Nxënësi i” Mehmet Akif-Lipjan” është pranuar në njërin ndër universitetet më të mira në botë.
Leart Ajvazaj ka arritur që të hyjë në universitetin e Yale i cili sipas renditjeve botërore është në vendin e 15-të.
Universiteti Yale është një universitet i cili për vite me radhë rangohet si njëri ndër universitetet më të mira në botë dhe edhe këtë vit nga uebfaqja për rangimet botërore të universiteteve topuniversities.com është ranguar si universiteti i 15 më i mirë në botë, dhe tashmë një nxënës nga Kosova do të jete aty.
Drejtori i “Mehmet Akif”-it Ender Tergip u shpreh i lumtur me këtë sukses të nxënësit nga shkolla që drejton.
“Padyshim që më meritori për arritjet e tij është vetë Learti i cili ka punuar shumë gjatë për këtë sukses, por gjithashtu duartrokitje dhe falënderime meritojnë fillimisht familja e tij që e kanë përkrahur në çdo moment, pastaj mësimdhënësit e tij që kanë punuar vazhdimisht që nxënësit e tillë të arrijnë suksese të tilla, si dhe çdo kush tjetër që ka dhënë kontributin e tij për arritjet e Leartit.
Duke i uruar edhe suksese të shumta në të ardhmen Leartit, të cilat jemi të bindur që nuk do të mungojnë, shfrytëzojmë rastin si kolegji ‘Mehmet Akif’ që përveç falënderimit për të gjithë mësimdhënësit që punuan me Leartin, në veçanti të falënderojmë profesorin tonë të matematikës z. Ahmet Çetinkaya i cili për muaj me radhë, tash e disa vite ka punuar me Leartin dhe nxënës të tjerë, qoftë për përgatitjen e tyre për olimpiadën ndërkombëtare të matematikës (ku Learti edhe këtë vit do ta përfaqësojë Kosovën), qoftë për arritje të tilla si kjo e Leartit”, ka thënë ai.
Shkolla “Mehmet Akif” njihet në Kosovë për cilësinë në edukim dhe të gjithë nxënësit që janë diplomuar nga kjo shkollë në vite kanë fituar një fakultet ndërsa shumë prej tyre kanë fituar në universitetet më të mira botërore.