Nxënësi vë në siklet deputetët kur pyet për vizat
Erjon Hadergjonaj, nxënës i shkollës së mesme të ulët nga Deçani i ka vënë në siklet disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, gjatë një takimi sot në ndërtesën e Kuvendit.
Një grup i nxënësve të shkollës “Lidhja e Prizrenit” nga Deçani kanë ardhur sot në Prishtinë për të aplikuar për vizë britanike për një vizitë që do t’ia bëjnë ishullit meqë janë përzgjedhur si nxënësit më të mirë të komunës.
Kuvendi i Kosovës u ka hapur dyert këtyre nxënësve për të marrë pjesë në një mbledhje të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike e Media.
Nënkryetarja e këtij Komisioni, Xhevahire Izmaku (PDK), u foli nxënësve për mundësinë që ata kanë për ta vizituar institucionin që i bën ligjet e vendit, mundësi të cilën ajo tha se nuk e ka pasur kur ka qenë në moshën e vizitorëve të vegjël.
“Në moshën e juaj s’kam pasur mundësi të vizitoj Kuvendin për shkak te situatës tjetër. E kam një mesazh: mësoni, zhvillonu, mos e keni synim me qenë politikanë”, ka thënë Izmaku, raporton “kallxo.com”.
Arban Abrashi nga LDK-ja u ka uruar sukses nxënësve në turin e tyre në Angli.
“Keni me qenë pasqyre e jonë atje, shfrytëzojeni në maksimum dhe ato të mira qe keni me i marrë atje, me i sjellë në Kosovë e Deçan”, ka thënë Abrashi.
Por njëri nga nxënësit, Erjon Hadergjonaj, nuk u impresionua nga mundësia për ta vizituar Kuvendin apo lëvdatat që morën nga deputetët.
Derti i tij ishte lajmi që presin shumica e qytetarëve për liberalizim të vizave, çështje e cila është në duar të deputetëve.
“E kam një pyetje të drejtpërdrejtë, a është afër liberalizimi i vizave, sepse e dimë qe ka komplikime në marrjen e vizave e deshëm me ditë”, tha Erjon Hadergjonaj.
“Mos na shti në këto ujëra”, ishte përgjigja e shkurtër e kryetarit të Komisionit, Nait Hasani, deputet i PDK-së.