Nxënësit do të kenë mundësi të përmirësojnë notat kur të kthehen në shkollë

29 qershor 2020 | 12:01

Tri ditë më parë ka përfunduar procesi mësimor në vend, ku nxënësit janë notuar për vitin tashmë të përfunduar shkollor.

Duke qenë se nga muaji mars është ndërprerë mësimi për shkak të pandemisë dhe ky vit shkollor ka vazhduar me mësimin online, nxënësve do t’u jepet edhe një mundësi për t’i përmirësuar notat kurdo që kthehen në objektet shkollore.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përveç 32 mijë nxënësve që nuk kanë ndjekur mësimin online, mundësinë për t’u rinotuar do t’ua jap edhe nxënësve të tjerë.

Kritika për mënyrën e notimit të nxënësve ka edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës. Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se mësimdhënësit nuk kanë respektuar udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë.

Në udhëzuesin për vlerësimin e nxënësve gjatë mësimit në distancë, thuhet se nota përfundimtare nuk duhet të jetë më e ulët se ajo e datës 11 mars 2020, kur është ndërprerë mësimi i rregullt në shkollë për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19, shkruan “Kosovapress”.

Por, Reshiti ka thënë se kjo pikë e udhëzuesit nuk është respektuar nga mësimdhënësit në Kosovë.

Ai ka thënë se moszbatimi i udhëzuesit dëmton rëndë interesin e nxënësve.

Ndërsa Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, ka thënë se prejse ka filluar mësimi nga distanca kanë avokuar që vlerësimi të anashkalohet.

Në anën tjetër, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, ka deklaruar për “Kosovapress” se do t’iu ofrohet të gjithë nxënësve një mundësi për përmirësim të notave kurdo që kthehen në objektet shkollore.

“Jemi në mundësi të cilën jemi duke e shqyrtuar seriozisht, t’iu jepet një afat i caktuar kohor në mënyrë që këta nxënës edhe ata të cilët nuk kanë qenë të përfshirë në proces për shkak të rrethanave, problemeve të cilat nuk po dua tash t’i komentoj disa nuk kanë pasur qasje, disa nuk kanë pasur pajisje. Por, do t’iu ofrohet një mundësi në shtator dhe ne jemi duke i bërë përgatitjet e duhura”, ka thënë ai.

Viti shkollor 2019/2020 ka përfunduar tri ditë më parë, ndërsa më 13 mars Qeveria e Kosovës kishte mbyllur shkollat si masë parandaluese për përhapjen e Covi-19, kurse mësimi online ka filluar me 23 mars.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rinor Haxhiu, i përfshirë në një zënkë në mes zyrtarëve…