Nxënësit e dy shkollave të mesme në Ferizaj, ende s’e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë
Nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe ata të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj ende nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë.
Të dy shkollat e mesme të larta, sipas drejtorit të Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, kanë funksionuar në objektin e ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi” dhe pritet që të dalin në objektin e ri që është ndërtuar te salla e sporteve “Bill Clinton”.
I pyetur se pse nuk ka nisur gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e shkollave të mesme të larta “Elena Gjika” e “Shaban Hashani”, Llabjani tha se u kanë dalë disa probleme me objektin e ri që është ndërtuar për këto shkolla.
Llabjani ka thënë se po përpiqen që nxënësit e të dy shkollave ta fillojnë mësimin më 20.01.2025, ndërsa gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2024/2025 ka nisur në Kosovë më 08.01.2025.
Drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, tha se nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë pasi nuk janë kryer disa detaje të vogla tek objekti i ri i ndërtuar.
“Do izolime të vogla rreth dritareve që ka ftoftë, këto na kanë pengu edhe bash sot kem me pastru. Karrika e banka i kemi mbushë klasat” – ka thënë Nebihu.
Nebihu ka treguar se objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” ka filluar të ndërtohet rreth katër vjet e gjysmë më parë.
Ajo ka shpjeguar se deri më 24.12.2024 kanë mësuar në objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, për të cilin tha se është objekt i vjetër dhe ka pasur kushte “të tmerrshme” për ta zhvilluar procesin mësimor.
“Dyert, dritaret s’ka mundësi me u renovu se e shtijnë të ftohtin në tana anët, një erë ato i qet… Tualetet m’i pa, i kemi renovu kur kemi hy, krejt tavanet kanë ra poshtë, pikin n’tana anët… Ajo ka ardhë veç t’u u demolu” – ka treguar Nebihu.
KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa, tualetet e shkollës në gjendje jo të mirë.
Nebihu nuk ka dhënë ndonjë datë se kur pritet nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” ta fillojnë gjysmëvjetorin e dytë.
“U kam thënë (nxënësve) që duhet me pritë deri në njoftimin e ardhshëm… Ndodhë që në qershor (2025) me vazhdu zëvendësimin e orëve (mësimore)” – ka thënë Nebihu.
Por kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari, tha se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për gjimnazin.
“Kanë ardhë karriget me jokualitet edhe janë kthy karriget, për atë arsye kanë mbetë pa karrige edhe nuk është fillu mësimi” – ka thënë Jashari.
Për objektin e ish-shkollës “Gjon Serreçi”, Jashari tha se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e jo të zhvillohet mësim aty.
“As s’kanë funksionu nxemjet qysh duhet, as dritare… Aty mund të marrësh sëmundje, d.m.th. nëse shkoni gjatë ditë ti merr sëmundje aty edhe kthehesh në shtëpi i sëmurë” – tha Jashari.
Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-shkollës “Gjon Serreçi”, për shkak të kushteve të saj.
Jashari tha se bashkë me Këshillin drejtues të Gjimnazit “Shaban Hashani” janë duke e shqyrtuar mundësinë që të dalin prapë në objektin e ish-shkollës “Gjon Serreçi” nëse nuk dalin në objektin e ri të ndërtuar.
Si Këshill i Prindërve, Jashari tha se janë pro zëvendësimit të mësimit për ditët e humbura.
Kurse, zëvendësdrejtori i Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, Bardhyl Xheladini, nuk ka pranuar të japë shumë detaje, por ka kërkuar që për këtë çështje të pyetet Drejtoria e Arsimit.
“Në rregull është ama drejtori i Arsimit e ka përgjegjësinë për me dhanë këtë deklaratë, se prej atij varet” – ka thënë Xheladini.
Sipas Xheladinit, ata nuk e dinë se kur do ta fillojnë mësimin nxënësit e Shkollës së Mjekësisë në Ferizaj.
Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha se u kanë dalë telashe me kulm të objektit të ri që është ndërtuar për të dy shkollat e mesme.
“Ka piku kulmi edhe kena pasë pak problem me, ujë edhe me energji elektrike. Sidomos me ujë, kur e kemi lëshu, ka pasë ngapak do rrjedhje” – ka thënë Llabjani.
Kur u pyet se si ka pasur problem me kulmin objekti i ri që është ndërtuar, ai ka shpjeguar se problemi ka qenë te ndërtimi i kullueseve të kulmit.
“Kur kanë fillu m’i ndërtu ulluqet aty, ai operatori që i ka rregullu ulluqet, unë po flas sipas atyre të cilët ma kanë shpjegu… aty pastaj ka lëvizë një llamarinë edhe është dashtë me rregullu, atë e kemi rregullu javën e kalume” – tha Llabjani.
Ndërsa, për karriget, Llabjani ka thënë se Ministria e Arsimit ua ka premtuar, mirëpo para tre-katër javësh objekti është furnizuar vetëm me bankat shkollore.
“Ata janë arsyetu me një mendim se është prishë tenderi apo nuk kanë qenë të kënaqur me cilësinë e karrigeve edhe ne jemi detyruar që gjatë këtyre ditëve d.m.th. sa kemi pritë kaq shumë, jemi detyru që karriget e vjetra m’i çu atje” – ka treguar Llabjani.
Sipas Llabjanit, ata janë detyruar që t’i bartin karriget e komodinat e mëparshme që i kanë shfrytëzuar të dy shkollat te objekti i ri.
Llabjani tha se edhe sikur të kishte buxhet Komuna e Ferizajt t’i blejë bankat shkollore dhe karriget nuk ka të drejtë pasi i takon Autoritetit Qendror të Prokurimit përmes Ministrisë së Arsimit.
Ndërtimi i objektit të ri të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” i ka kushtuar Komunës së Ferizajt rreth një milion e 200 mijë euro, sipas Llabjanit.
KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit për furnizimin e objektit të ri me banka shkollore e karrige, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.
Lokacioni ku është ndërtuar objekti i ri, Llabjani ka shpjeguar se ka qenë i AKP-së, e cila për dy vjet ua ka ndalur punimet, e ato kanë filluar në vitin 2019 deri më 2021.
“Shumicën e kohës na e ka marrë pastaj Agjencioni Kosovar i Privatizimit me ndërrimin e Qeverisë nga Qeveria Hoti në Qeverinë Kurti, d.m.th. Qeveria Kurti ka nxjerrë vendim edhe i ka shfuqizu krejt vendimet e mëparshme, i cili ua ka leju tokat e AKP-së, komunave edhe na i ka marr pronat AKP-ja prapë. Pastaj, është dashtë me ndjek shumë procedura për me na leju fillimin e punimeve. Rifillimi i punimeve ka fillu para 4-5 muajve” – tha Llabjani.