
Nxënësit e “Faik Konicës” e nisin mësimin me bartje të maskave
Pas gjashtë muajve ndërprerje, nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme janë kthyer në bankat shkollore, raporton Ekonomia Online.
Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë nxënësit kanë respektuar masat e parapara duke mbajtur distancën dhe maskat. Ata në hyrje të shkollës janë dezinfektuar dhe u është matur temperatura.
Secili fëmijë duhet ta sigurojë maskën personale, e cila duhet të përdoret gjatë gjithë kohës gjatë qëndrimit në ambientet shkollore.
Po ashtu, në mbrojtje të Covidit, fëmijët po hyjnë në dy hyrje të ndryshme që mos të kenë kontakt me njëri-tjetrin.
Kosova ka mbyllur institucionet arsimore në muajin mars, kur u paraqitën edhe rastet e para me koronavirus. Mësimi më pas është zhvilluar përmes platformave online dhe mësimeve të transmetuara në televizionin publik.