Nxënësit e gjimnazit “Hasan Nahi”, të dytët në botë
Një lajm i mrekullueshëm për Kosovën vjen nga Kenia, Afrikë. Nxënësit e gjimnazit “Hasan Nahi” të cilët përfaqësuan Kosovën: Djellëza Hoti, Amara Sejdiu, Endrit Sylejmani, Tahir Zogaj, Erland Tulla dhe Endrit Thaçi janë shkencëtarët e rinj kosovarë që kanë marrë medalje në Olimpiadën Ndërkombëtare “GOLDEN CLIMATE- 2018”, në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme.
Ata fituan një medalje të argjent (çmimi i dytë) dhe dy medalje të bronzta (çmimi i tretë) me projektet shkencore inovative.
Nxënësit Endrit Sylejmani dhe Tahir Zogaj zunë vendin e dytë në botë të cilët kanë konkurruar me projektin “Dizajnimi i disa komponimeve organike si agjent potent antikanceroz“.
Projekti ka të bëjë me bllokimin e enzimit kanceroz në mënyrë që disa nga llojet e kancerit mos të kenë mundësi të shpërndahen nëpër pjesët e tjera të trupit në mënyrë që kanceri të trajtohet në mënyrë më të lehtë.
Nxënëset Djellëza Hoti dhe Amara Sejdiu kanë fituar medaljen e bronzët me projektin shkencor: “Ngritja e rezistencës së një shtëpie me anë të përdorimit të materialeve të lëna pas dore”.
Me anë të këtij punimi synohet që të mbrohet ambienti i Kosovës duke i përdorur materialet e lëna pas dore, si hiri nga Termocentrali në Obiliq, boqave, pambukut, qeset e plastikës si materiale fibroze. Kur këto materiale përzihen me allçi mundësojnë një mur më stabil dhe më rezistent, ku e mban shtëpinë nxehtë gjatë dimrit gjithashtu të ftohtë edhe gjatë verës.
Erlad Tulla dhe Endrit Thaçi kanë fituar gjithashtu medaljen e bronzët me projektin shkencor: “Arduo House është një shtëpi e sigurt e cila kontrollohet prej paisjes “Arduino” e cila lidhet me Kompjuter.
Shtëpia përmban senzorë të llojllojshëm të cilat kontrollohen me anë të kodeve të cilat i shënohen në programin e Arduinos.
Idea e nxënësve ishte që të parandaloheshin këto dukuri nga: djegja e shumë shtëpive, fundosja nga uji, parandalimi nga thyerja e hajduteve, etj.”
Projektet e nxënësve të Gjimnazit “Hasan Nahi” në etapën e parë arritën të jenë finalistë me projektet e tyre.
Ishin mbi 2000 projekte shkencore nga 70 shtete të Botës prej të cilave u zgjodhën 201 nga 20 Shtete projekte finalistë.
Me 70 shtete nga gjithë bota dhe mbi 20 shtete të cilat garuan në finale, gjimnazistët kosovarë arritën të konkurrojnë me botën e të marrin një medalje argjenti dhe dy medalje të bronzta në Garën ndërkombëtare: “Golden Climate International Enviromental Project Olympiad”.
Kjo olimpiadë organizohet në Nairobi, Kenia, Afrikë.
Pavarësisht moshës fare të re, ato kanë shkëlqyer duke lënë të habitur jurinë me aftësitë dhe profesionalizmin e treguar në përgatitjen dhe zhvillimin e projektit.
Suksesi në Gjimnazin “Hasan Nahi” po kthehet në traditë. Vitin e kaluar nxënësit e këtij Gjimnazi u kthyen nga SHBA me medalje argjendi, ndërsa këtë vit fituan tre
medalje.
Ky është dhe fryt i punës së madhe të bërë nga arsimtarët dhe nxënësit, të cilët punuan rreth pesë muaj në laboratorët e shkollës dhe laboratorin e Katedrës Kimi-Fizikë të Universitetit të Prishtinës.
Deri më tani Gjimnazi “Hasan Nahi” prej themelimit të saj në vitin 2013 i ka sjellë Kosovës 33 medalje ndërkombëtare.