Nxënësit e Kamenicës informohen për të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e tyre
Zyra Regjionale e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) në bashkëpunim me Njësinë Komunale për të Drejtat e Njeriut (NjKDNj), kanë mbajtur ligjëratën me nxënësit e klasave të VIII-ta dhe IX-ta në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Xhavit Ahmeti” në Hodonoc me temën “Të drejtat e njeriut, me theks të veçantë të drejtat dhe detyrat e fëmijëve”.
Zyrtari ligjor pranë Zyrës Regjionale të IAP-it, Shemsedin Mustafa, u ka ligjëruar nxënësve për rolin dhe mandatin e Avokatit të Popullit, si dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi.
Ndërsa koordinatorja e NjKDNj-së, Nazmije Demolli-Kastrati, ka thënë se fëmijët përkatësisht nxënësit kanë të drejta dhe detyra të shumta. Po ashtu, ajo ka folur para nxënësve për rolin dhe funksionimin e Zyrës për të Drejtat e Njeriut në komunën e Kamenicës.
Në anën tjetër, drejtoresha e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhavit Ahmet”, Sofije Krasniqi, ka falënderuar ligjëruesit duke shpresuar se ligjërata të tilla të mbahen në vazhdimësi, pasi sipas saj nxënësit kanë nevojë të marrin njohuri të reja lidhur me të drejtat dhe detyrat që i kanë.
/Epoka e re/