Nxënësit e Koshares realizojnë me gozhda e penj portretin e Besarta Jasharit

14 shkurt 2025 | 08:13

Me gozhda e penj është punuar një portret i vajzës së Hamzë Jasharit dhe të mbijetuarës së familjes Jashari, Besarta Jashari, nga nxënësit e Shkollës “Dëshmorët e Koshares” në Koshare të Ferizajt.

Ideatorja e punimit të portretit të Besarta Jasharit është mësimdhënësja e gjuhës shqipe, Pranvera Qerimi.

Qerimi ia dhuroi portretin vetë Besartës, pasi e kishin ftuar të festojë bashkë me ta në një program festiv të Shkollës për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

“Besarta Jashari nuk është vetëm një emër në histori, por një dëshmitare e gjallë e sakrificës sublime të familjes Jashari. Të familjes që me heroizmin e saj u bë themel i lirisë sonë, për këtë arsye e ftuam sot atë në shkollën tonë, duke e nderuar jo vetëm si pjesëtare të një familjeje heroike, por edhe si një simbol të qendresës dhe guximit” – ka thënë Qerimi gjatë programit festiv.

Sipas Qerimit, qëllimi i punimit të portretit të Besarta Jasharit ishte që nxënësit të mësojnë më shumë për historinë dhe lirinë e Kosovës.

“Është një mënyrë për t’ua sjellë nxënësve më afër historinë dhe për t’u treguar se liria dhe pavarësia kërkojnë punë, përkushtim dhe mbi të gjitha dashuri për atdheun” – ka shtuar Qerimi.

Kurse Besarta Jashari është shprehur se ndihet mirë kur po i sheh fëmijët e Kosovës që po rriten në frymën e edukimit të atdhedashurisë.

“Nuk është rastësisht që e zgjodha shkollën tuaj. Pikërisht ma tregoi Pranvera këtë punim, e pash punën që fëmijët e shkollës bënë, ishte e mrekullueshme dhe u ndjeva shumë mirë. Prandaj edhe pranova të vij sot dhe të jem e nderuar në mesin tuaj” – është shprehur Jashari.

Drilon Mujota, nxënës i klasës së tetë në Shkollën “Dëshmorët e Koshares”, tha se në punimin e portretit të Besarta Jasharit kanë punuar rreth 10 nxënës.

Sipas Mujotës, iniciativa e mësimdhënëses Qerimi ishte të punohej me “string art”, përmes gozhdave dhe penjve. Ai ka treguar se janë përdorur 3,158 gozhda për këtë punim.

Mujota tha se ka pasur njohuri për Besarta Jasharin kur ia ka prezantuar idenë mësimdhënësja, por punimi e ka shtyrë që ai të hulumtojë edhe më shumë në historinë e familjes Jashari.

“Pastaj edhe kam hulumtuar për Besarta Jasharin se çfarë ka ndodhur më gjerësisht. Ajo është vajza e Hamzë Jasharit. Ajo d.m.th. prej disa anëtarëve të cilët kanë qenë vetëm ajo që ka mbijetuar në Prekaz” – tha Mujota.

Mujota ka treguar se detyra e tij në punimin e portretit të Besartës ka qenë ta vizatojë portretin e saj dhe t’i shkruajë shkronjat e emrit dhe mbiemrit të saj.

Kurse nxënësja e klasës së nëntë në Shkollën “Dëshmorët e Koshares”, Anisa Rexhepi, tha se ka ndihmuar me penjë që ta thur emrin e Besartës.

“Koha na ka marrë gati dy javë e gjysmë. Kena punu vazhdimisht edhe në orë të mësimit edhe pas orarit me ndihmën e arisimtares Pranverë” – ka treguar Rexhepi.

Rexhepi e ka vlerësuar vizitën e veçantë të Besarta Jasharit në shkollën e tyre.

“Po e ka bo shumë të veçantë, e falenderoj Besartën që ka ardhë edhe me na këqyr punën edhe kontributin tonë” – ka theksuar Rexhepi.

Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin rrethuar disa herë nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe.

Më 30.12.1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar.

Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Në sulmin e tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, janë vrarë 55 persona, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të komandantit legjendar Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila kishte mbijetuar në rrënojat e shtëpive të sulmuara me gjithfarë armatimi nga forcat serbe dhe kishte parë rënien e gjithë anëtarëve të tjerë të familjes së saj. /Kallxo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar liderët botërorë “kundër besimit…