Nxënësit e shkollave profesionale mund të kryejnë praktikën në Bursë të Turqisë
Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Shyqiri Bytyqi, ka pritur të mërkurën në takim kryetarin e shoqatës “Kosova, Shkupi, Bursa”, e cila vepron në Bursa të Turqisë Rexhep Gunduz, si dhe kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
Ai ka bërë me dije se në këtë takim është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e arsimit profesional, ku MAShT-i është i përkushtuar që ta zhvillojë këtë fushë, si një mundësi e mirë që të rinjtë e Kosovës të jenë sa më të përgatitur për tregun e punës dhe në funksion të kësaj janë duke u parë mundësitë e bashkëpunimit me vendet tjera.
“Bashkë me z. Gunduz diskutuam për fillimin e një bashkëpunimi konkret për dërgimin e nxënësve tanë të shkollave profesionale që të kryejnë praktikë profesionale në shkollat e Bursës në Turqi, pasi që këto shkolla janë të zhvilluara dhe të pajisura mirë me mjete për profesione të caktuara. E falënderova z. Gunduz për gatishmërinë e tij për këtë bashkëpunim, si dhe për veprimtarinë e tij, kryesisht në funksion të krijimit dhe mbajtjes së lidhjeve mes familjeve shqiptare që jetojnë në Bursa dhe atyre që jetojnë në trojet shqiptare”, ka shkuar Bytyqi në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/