Nxënësit në botë protestojnë kundër ndryshimeve klimatike
Nxënës në gjithë botën braktisën shkollën të premten, për të marrë pjesë në protestat kundër ndryshimeve klimatike.
Nxënësit u kanë bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të ndërmarrin hapa më të mëdhenj në këtë drejtim.
Protestat u frymëzuan nga aktivistja 16-vjeçare, Greta Thunberg, e cila proteston çdo javë para Parlamentit të Suedisë.
Së voni, Greta është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.
Në Berlin, rreth 10 000 protestues, shumica e tyre nxënës, u mblodhën në një shesh në qendër të qytetit, duke mbajtur slogane të tilla si: “Nuk ka planet B”.
Në vitin 2015, liderët botërorë kanë rënë dakord në Paris për kufizimin e rritjes globale të temperaturës së Tokës nën 2 gradë Celsius deri në fund të shekullit.
Megjithatë, tash për tash, temperatura ka tendencë të rritjes në 4 gradë dhe ekspertët thonë se një gjë e tillë do të ketë pasoja të mëdha për jetën në planet.