Nxjerrja e një qeverie nga e njëjta legjislaturë nuk është e shëndetshme
Politologu Albinot Maloku ka komentuar takimin e sotëm të presidentit Hashim Thaçi me liderët e partive politike, për të diskutuar për situatën pas rrëzimit të Qeverisë Kurti.
Maloku ka thënë për “Epokën e re” se ky takim është jashtë rendit kushtetues.
“Takimi i sotëm i presidentit Thaçi me drejtuesit e subjekteve politike në Kosovës, ku po provohet të nxirret një Qeveri e re mbi themelet e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, është krejtësisht jashtë rendit kushtetues që ka vendi. Praktikat politike e kushtetuese të vendit që ishin në jetën deri më tani, po marrin një formë tjetër, ende pa kaluar reformimi aq i domosdoshëm i Kushtetutës”, ka thënë ai.
Maloku ka theksuar se pas votimit të mocionit të mosbesimit të Qeverisë së drejtuar nga Kurti, u bë e qartë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
“Pas votimit të mocionit të mosbesimit të Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, të inicuar nga partneri i tij, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe mbështetur nga 82 deputet, u bë e qartë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, në mënyrë që të kemi Qeveri të re, mirëpo nxjerrja e një Qeveri nga e njëjta legjislaturë nuk është aspak e shëndetshme për demokracinë në vendin tonë. Qeveria në detyrë do të duhej ta përmbyllte angazhimin e saj pas zgjedhjeve të reja”, ka thënë Maloku.
/Epoka e re/