NYT: Presidenti i vrarë haitian hetonte zyrtarë të lidhur me tregtinë e drogës
Presidenti haitian, Jovenel Moise, po përpilonte një listë të zyrtarëve dhe biznesmenëve që kishin lidhje me tregtinë e drogës, para se të vritej në korrik, raportoi gazeta amerikane, New York Times, duke shtuar se plani i tij ishte që këtë listë t’ia dorëzonte SHBA-së.
Moise u vra gjatë një bastisjeje natën vonë në shtëpinë e tij nga një grup njerëzish të armatosur, mes të cilëve ishin ish-ushtarë kolumbianë. Autoritetet haitiane lidhur me këtë rast arrestuan 45 persona, por ende askush nuk është akuzuar.
Disa prej të arrestuarve deklaruan se dorëzimi i listës me emrat e trafikantëve të dyshuar të drogës ishte prioritet i presidentit, shkruan gazeta amerikane duke cituar tre zyrtarë të lartë haitianë të informuar mirë me hetimet.
“Dokumenti ishte vetëm njëra prej disa arsyeve të përplasjeve të presidentit me figura të fuqishme politike dhe të biznesit, disa prej tyre të dyshuar për trafik narkotikësh dhe armësh,” shkruan Times.
Ndërkaq zëdhënësi i Qeverisë së Haitit, Ariel Henry nuk u përgjigj lidhur me këto pohime.
Vrasja e Moises e la Haitin në vakum politik, pa president të zgjedhur dhe nxiti akoma më shumë valën e rrëmbimeve nga bandat që tani kontrollojnë pjesën më të madhe të territorit të vendit.
Qeveria premtoi se do të zbardhë këtë rast por zyrtarët e drejtësisë deklaruan disa herë se po përballen me kërcënime dhe vdekje./REL