
“O tryezë!” ose latinishtja e Churchillit
Nga: Aurel Plasari
Latinishtja paska qenë për [Winston] Churchillin, kur mësonte në shkollën emërmadhe Harrow, njëra nga lëndët më të bezdisshme. Sa është ankuar për të! Kështu lexohet në kujtimet e tij, “My early life”. E kuptueshme për një çunak anglez që, fjala vjen, e ka të vështirë të përkapë jo thjesht lakimin e emrave, ngaqë anglishtja nuk ka lakim, por logjikën e veçantë latine në përgjithësi.
Mësuesi i ka dhënë Winstonit të lakojë emrin “mensa” (tryezë): mensa, mensa, mensam … Çunakut nuk i mbushet mendja se si e njëjta formë, “mensa”, përdoret në tri rasa të ndryshme: në emërore, thirrore dhe rrjedhore. Sidomos thirroren nuk ia rrok truri. Çfarë kuptojmë, ka pyetur ai mësuesin, me “mensa” në thirrore? Ka kuptimin, i ka shpjeguar mësuesi, “o tryezë”. Dhe, kur përdoret “o tryezë?”, ka ngulmuar Winstoni. Kur i drejtohemi një tryeze duke e thirrur, i ka shpjeguar mësuesi. Por, unë nuk kam pse t’i drejtohem ndonjëherë ndonjë tryeze për ta thirrur! – ka vijuar kokëfortë çunaku, derisa mësuesi e ka kërcënuar se do të ndëshkohet shumë rëndë për këtë kokëfortësi në mësim.
Shmangia e lidhëzave mes fjalive, asindeta, shkakton në retorikë një efekt ngjeshjeje dhe rrjedhjeje të shpejtë të fjalive. “Veni, vidi, vici” e Jul Cezarit është kryeshembulli i saj. Dikur, ndërsa na shpjegonin asindetën, nuk kishin të na jepnin veçse shembuj nga letërsia ruse, si ai i Pushkinit:
“Suedezi, rusi – ther, grin, pret. Gjëmim daulleje, britma, kërcëllima, hingëllima, ulërima”.
Ndaç ta ketë dashur, ndaç të mos e ketë dashur z. Churchill latinishten, si asindeta edhe e shumta e mjeteve të retorikës së tij të suksesshme aty e kanë zënien fill, te Ciceroni dhe ciceronianët të cilëve ua ka përgojuar gjuhën.