OAK-u kërkon përkrahje për Ligjin për pushimin e lehonisë dhe arkën “Patriot”
Ofrimi i përkrahjes dhe kontributit profesional, përkrahja dhe kontributi i përbashkët në finalizimin e Ligjit të punës dhe ligjit për pushimin e lehonisë, kërkesa për krijimin e arkës “Patriot”, ku çdo produkt vendor subvencionohet me 10 për qind ulje nga TVSH, harmonizimi i vendimeve që lëshohen nga ATK-ja dhe Dogana e Kosovës lidhur me lirimin e lëndës së parë për prodhuesit, e informimi lidhur me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Indeksin Global të Konkurrueshmërisë, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror ishin qëllimi i takimit të përfaqësuesve të OAK-së me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Nënkryetari i OAK-së, Arsim Selmonmusaj ka uruar ministrin Murati për detyrën e re dhe u shpreh i hapur për ofrimin e bashkëpunimit dhe ndihmës së OAK-së në aspektet profesionale.
Ai ka kërkuar përkrahje, në veçanti rreth lobimit për ndryshim plotësimin e Ligjit të Punës dhe Pushimit të Lehonisë, si dy nga ligjet më esenciale.
Ndërsa sekretari i OAK-së, Diamant Elshani, ka theksuar rëndësinë dhe kontributin që mund të japin nëse oda dhe sektori privat përfshihen në vendimmarrje duke qenë pjesë aktive e diskutimeve dhe grupeve punuese.
Ndër të tjera gjatë këtij takimi u diskutua që TVSH-ja të paguhet brenda vendit në inkasim dhe jo në faturim. Gjithashtu u diskutuar edhe për problemet e bizneseve me bankat komerciale, lirimi i plotë i lëndës së parë dhe pajisjeve për prodhim, rëndësia që koordinimi mes institucioneve dhe bizneseve të jetë kontinual në mënyrë që fuqia punëtore të jetë në përputhje me nevojat e tregut si dhe të aplikohet mësimi dual për nxënësit si kombinim mes teorisë dhe praktikës në mënyrë që nxënësit të jenë sa më të përgatitur për tregun e punës.
Ministri Murati duke falënderuar përfaqësuesit e OAK-së për ngritjen e këtyre temave, është shprehur i hapur për bashkëpunim, me qëllim që së bashku të evidentohen dhe tejkalohen sfidat të cilat hasen gjatë operimit të sektorit privat.