OAK: Mungesa e tabelave po dëmton bizneset
Oda e Afarizmit të Kosovës përmes një shkrese i është drejtuar Ministrisë të Punëve të Brendshme dhe ka shprehur shqetësimin e saj për mos furnizimin e makinave, kamionëve dhe mjeteve transportuese me targa.
Mos furnizimi me targa, sipas OAK, po i rëndon dhe po i dëmton bizneset vendore.
“Bazuar në ankesat që ne si OAK kemi pranuar, bizneset vazhdimisht janë duke u ankuar për mos pajisjen e mjeteve transportuese me targa, edhe pse ato po obligohen t’i kthejnë tabelat e vjetra që janë me KS, mirëpo nuk po furnizohen me të reja”, thuhet në komunikatën e OAK.
“Në rastin kur bizneset e vazhdojnë sigurimin e automjeteve dhe i kthejnë tabelat me KS, ato nuk po furnizohen me tabela të reja RKS, çka po i pengon me ato mjete të dalin jashtë kufijve të Kosovës”, ankohet më tej OAK.
Sektori i transportuesve tash e një kohë të gjatë është duke u përballë me disa sfida, të cilat rrjedhin nga mos anëtarësimi i Kosovës në TIR, e përballja me mungesën e targave vetëm se e rëndon funksionimin e tyre dhe të qenit konkurrues në treg.
E gjitha kjo është një pengesë e madhe ndaj bizneseve vendore për të qarkulluar jashtë vendit, e që gjithashtu po favorizon transportuesit e rajonit.