OAK nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me FIM
Në vazhdën e nënshkrimeve të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Fakultetet të cilat qëndrojnë nën ombrellën e Universitetit të Prishtinës, një të tillë Oda e Afarizmit të Kosovës e ka nënshkruar sot edhe me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Kjo është bërë e ditur nga kjo odë me anë të një komunikate për media. “Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit, ofrimit të këshillave profesionale në fushën e inxhinierisë mekanike për bizneset anëtare të Odës së Afarizmit të Kosovës, angazhimit të studentëve të FIM në praktika profesionale pranë bizneseve anëtare të OAK-së, në pajtim me programet e studimeve, këmbimit të përvojave dhe informatave profesionale nga fusha e interesit të përbashkët, bashkëpunimit edhe në fusha tjera, krahas fushave dhe veprimtarive që ushtrojnë të dyja subjektet u finalizua kjo marrëveshje bashkëpunimi në mes palëve”, është thënë në komunikatë.
Sipas kësaj komunikate, Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, i Universitetit të Prishtinës ‘‘Hasan Prishtina’’ përmes këtij Memorandumi të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, pajtohen që të krijojnë partneritet me qëllim të shkëmbimit dhe ofrimit të këshillave profesionale për bizneset në fushën e inxhinierisë mekanike.
Kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skender Krasniqi me rastin e nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit, theksoi faktin se tregu i punës ka nevojë për kuadro cilësore, duke veçuar se kurrikulat dhe planprogramet mësimore janë në shpërputhje me nevojat e tregut të punës.
Përderisa Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Ahmet Shala falënderoj Odën e Afarizmit të Kosovës për këtë bashkëpunim, Duke potencuar se janë për profilizimin e fakulteteve. Shala po ashtu, e mirëpriti këtë marrëveshje bashkëpunimi duke theksuar se nevojat dhe problemet me të cilat ballafaqohen bizneset i njihni më së miri ju.
OAK, ritheksoi se këto bashkëpunime do të implementohen në praktikë duke krijuar lehtësira për studentët, që krahas pjesës teorike që do ta mësojnë në Universitet do të kenë mundësinë që t’a përvetësojnë edhe pjesën praktike.