OAK: Pagat në institucione dhe kompani publike të ekzekutohen në vlerën e 50 përqindëshit të pagës
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka kërkuar serish nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që të trajtohen barabartë të gjithë të punësuarit që janë të afektuar në kohë të pandemisë në pakon e parë të Ministrisë së Financave.
“Duke e marrë parasysh këtë OAK ka ripërsëritur kërkesën tek Kryeministri që pagat në institucione publike dhe kompani publike të ekzekutohen në vlerën e 50% të pagës për muajin prill dhe muajt vijues deri sa të zgjatë pandemia, për të gjithë apo për punëtorë që nuk janë duke punuar duke marrë parasysh se shumica e të punësuarve në institucionet publike nuk janë duke punuar”, thuhet në reagimin e OAK-ut.
“Oda e Afarizmit të Kosovës ka ripërsëritur kërkesën e dërguar tek Kryeministri, që nga propozimi i Ministrisë së Financave për pakon e parë që për të gjithë të punësuarit në Republikën e Kosovës të cilët janë afektuar nga gjendja e pandemisë të trajtohen në mënyrë të barabartë për arsye se shumë biznese nuk po mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre për shkak të masave të fundit, e të tjerat janë duke operuar me kapacitete të limituara. Duke e marrë parasysh këtë OAK ka ripërsëritur kërkesën tek Kryeministri që pagat në institucione publike dhe kompani publike të ekzekutohen në vlerën e 50% të pagës për muajin prill dhe muajt vijues deri sa të zgjatë pandemia, për të gjithë apo për punëtorë që nuk janë duke punuar duke marrë parasysh se shumica e të punësuarve në institucionet publike nuk janë duke punuar. Kjo bëhet me arsyetimin se në këtë mënyrë qeveria do të ketë mundësinë e rritjes së shumës prej 41 milionë eurove të parapara për afër 300.000 të punësuar në sektorin privat dhe rritjen e shumës nga 170 euro në së paku 220 euro”, thuhet në letrën e OAK-së.
Gjithashtu OAK ka kërkuar që shumën e paraparë prej 15 milion euro për paga shtesë prej 300 euro për punëtorët e atakuar nga pandemia, të alokohët për biznese dhe këta sektorë të marrin paga të plota. “OAK konsideron se përkrahja e bizneseve me mbulim të pagave për të mos i larguar nga puna, përkrahje në mbulim të shpenzimeve operative gjatë kësaj kohe dhe përkrahje në dhënie të kredisë pa kamatë dhe mbështetje të tjera është më se e nevojshme për mbajtje dhe rritjen e punësimit në Kosovë, që është shumë e nevojshme në këtë kohë ku papunësia është më e madhja në Evropë. OAK gjithashtu ka kërkuar që grupi koordinues i krijuar në Këshillin Kombëtar të Zhvillimit Ekonomik të fillojë punën sa ma shpejt në përgatitjen e pakos së dytë”, ëshët thënë tutje në reagim.