OAK-u: Pandemia Covid ka vështirësuar punën e bizneseve
Ndikimi i pandemisë në ekonomi, pasojat e krizës së shkaktuara nga Covid-19, gjendja e rënduar e bizneseve si pasojë e mungesës së ndihmës së duhur nga ana e shtetit, si dhe paraqitja e rezultateve konkrete nga hulumtimi i zhvilluar në terren me bizneset, ishin çështjet kryesore të cilat u trajtuan në konferencën për media të mbajtur sot nga Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK).
Në kuadër të kësaj konference Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka paraqitur rezultatet konkrete të dala nga hulumtimi lidhur me ndikimin të cilin pandemia ka pasur tek sektori privat.
Sipas rezultateve të përgjithshme konstatohet se në përgjithësi bizneset kanë pësuar humbje gjatë kësaj kohe.
Përderisa, sektorët më të prekur rezultuan të ishin gastronomia, prodhimi dhe ndërtimi.
Ndërkohë që 44 për qind e përfaqësuesve të bizneseve kanë deklaruar se e kanë reduktuar numrin e punëtorëve nga një deri në pesë persona, përderisa 81 për qind e respondentëve deklaruan se nuk e kanë rritur numrin e punëtorëve.
Zëdhënësja për media në OAK, Fjolla Smaili, ka paraqitur rezultatet e hulumtimit ku theksoi se sipas përfaqësuesve të bizneseve rikthimi i ekonomisë në nivelin në të cilin ishte para pandemisë do të marrë kohë së paku një vit.
“Lidhur me këtë 7.2 për qind e respodentëve janë deklaruar se rikthimi në gjendjen e mëparshme do të marrë kohë një vit, 27.2 për qind kanë thënë se do të duhen dy vite kohë, 39.6 për qind kanë deklaruar se do të duhen tri vite kohë, si dhe 26 për qind kanë potencuar se do të duhen më tepër se tri vite kohë”, ka thënë ajo.
Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga partitë politike, institucionet dhe Qeveria e vendit që të marrin për bazë rekomandimet e sektorit privat, me qëllim që gjendja edhe ashtu e vështirë e bizneseve mos të përkeqësohet edhe më tepër.
Rekomandimet e OAK-së për partitë politike, institucionet relevante si dhe Qeverinë e vendit janë që: Të merren masa konkrete nga shteti për të siguruar ndihmë për bizneset në tejkalimin e kësaj situate, veçanërisht ato që janë ose kanë qenë shumë afër falimentimit.