OAK: Rënia prej 10 për qind e prodhimit vendor tregon gjendjen e rendë në vend
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), shpreh shqetësimin e saj për gjendjen ekonomike të krijuar në vend si pasojë e pandemisë e cila n’a ka goditur dhe njëkohësisht inferioritetit të Institucioneve të vendit për të ndihmuar bizneset për tejkalimin e kësaj situate.
“Tani, kur jemi në dijeni se pavarësisht, vështirësive me të cilat po ballafaqohen qytetarët, bizneset dhe i gjithë vendi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe për të pestën herë me radhë që ishte pikë e rendit të ditës nuk është duke u shqyrtuar Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike. Bëjmë të ditur sërish, se me këtë rast po vihet në rrezik shuarja e bizneseve, reduktimi drastik i numërit të punëtorëve si dhe zvogëlimi i të ardhurave të shtetit. Se gjendja në vend është përkeqësuar jashtzakonisht shumë, bëhet e ditur veҫanarisht pas publikimit të raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për Bruto Produktin Vendor për tremujorin e fundit”, është thënë në komunikatën e OAK, duke u shtuar se sipas të dhënave të siguruara nga ASK dhe analizës të bërë nga OAK, del se sektorët të cilët janë prekur më së tepërmi gjatë këtij tremujori krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar janë ndërtimtaria, tregtia, akomodimi dhe shërbimet ushqimore, aktivitetet financiare si dhe bujqësia e pylltaria.
“Ndërsa, sa i përketë shpenzimeve siҫ edhe vërehet ato kanë shënuar ngritje. Pra, të hyrat janë zvogëluar në përqindje relativisht të lartë përderisa shpenzimet janë ngritur jashzakonisht shumë. Metodat e shpenzimeve të cilat janë bërë rangohen në shpenzimet e konsumit final, shpenzimet e konsumit final të ekonomive shtëpiake, shpenzimet e konsumit final të Qeverisë, importi i mallrave dhe shërbimeve etj. Bazuar në këto statistika, vihet në pah se sektorët të cilat janë dëmtuar më së tepërmi janë ndërtimtaria, bujqësia, HORECA, tregtia etj. Andaj, ne si Odë e Afarizmit të Kosovës kërkojmë nga Institucionet Përgjegjëse, që sa më parë të kalohet Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike që sado pak të lehtësohet puna dhe funksioimi i bizneseve”, thuhet tutje në komunikatë.
(A.M / Epoka e re)