OAK-u dhe Organizata Turistike Ulqin nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Me qëllim të promovimit të kompanive anëtare dhe zhvillimin e aktiviteteve afariste, turistike dhe bashkëpunimit në mes të dy vendeve, Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Organizata e Turizmit në Ulqin kanë nënshkruar memorandum të bashkëpunimit.
Përmes këtij memorandumi të dy palët u dakorduan që ka interes të përbashkët në arritje të bashkëpunimit në mes të bizneseve jashtë kufijve, prandaj edhe rritja e tregjeve të kompanive anëtare të palëve është nevojë dhe kërkesë e vazhdueshme.
Andaj, në përputhje me këtë qëllim palët u dakorduan që bashkëpunimi i tyre të përfshijë komunikimin efektiv për përcaktimin e mënyrave të bashkëpunimit, shkëmbimin e të dhënave dhe dokumentacionit që do ndihmojnë organizimet e përbashkëta promovuese, planifikimin dhe organizimin e ngjarjeve, tryezave të rrumbullakëta, konferencave dhe shkëmbim të përvojave në lidhje me të bërit biznes, nxitje të bashkëpunimit tregtar të kompanive anëtare përmes korrespondencës dhe afrimit të kompanive në sferat e biznesit ku operojnë anëtarët e të zhvillojnë strategji për qasje në punë dhe bashkëpunim në të ardhmen.
Kryetari i OAK-së, Skënder Krasniqi, ka falënderuar Organizatën e Turizmit në Ulqin për pritjen dhe ka uruar që Ulqini të ruajë edhe më tej kulturën e ndërtuar ndër vite për mikpritjen që ofron, duke zënë kështu një vend shumë të rëndësishëm për Kosovën.
Rritja e bashkëpunimit jo vetëm në fushën turistike por edhe në fushat e tjera me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik, duke ftuar që edhe Ulqinakët të vijnë në Kosovë e Kosova të vazhdojë të vizitojë Ulqinin, ishin çështjet që u theksuan me rastin e nënshkrimit të memorandumit.