OAK-u i kërkon Edi Ramës t’i vaksinojë punëtorët e sektorit privat në Kosovë
Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i është drejtuar me një shkresë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ku ka kërkuar përkrahje në furnizimin me vaksina, në mënyrë që edhe Kosova sa më parë të fillojë me vaksinimin e të punësuarve të sektorit privat në mënyrë që të mos ketë pengesa në lëvizjen e të punësuarve të tyre për çështjet biznesore.
Sipas OAK, një kërkesë e tillë vije pasi qe Bashkimi Evropian shumë shpejt pritet të kushtëzojë lëvizjen e qytetarëve në bazë të vaksinimit.
OAK-u vlerëson se një gjë e tillë do të paraqes pengesa dhe vështirësi të jashtëzakonshme në lëvizjen e stafit të sektorit privat për udhëtime jashtë vendit, qoftë për furnizim me lëndë të parë, produkte apo gjysmëprodukte ashtu edhe për marrëveshjet dhe vazhdimin e kontratave të tyre ndërkombëtare.
Po ashtu, vaksinimi i kësaj kategorie duhet të jetë me prioritet për shkak se të njëjtit duhet të vazhdojnë ushtrimin e veprimtarisë së tyre dhe kësisoj janë shumë të rrezikuar për infektim dhe përhapje të virusit për shkak të kontakteve të shumta që këta të fundit kanë.
OAK-u konsideron se vaksinimi i stafit është esencial, pasi që do të ndihmonte në mos ndaljen e punës së operatorëve ekonomik të cilët për të ushtruar veprimtarinë e tyre domosdoshmërisht obligohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
Ditë më parë, OAK-u me një kërkesë të tillë i është drejtuar edhe kryeministrit Albin Kurti dhe institucioneve relevante, me qëllim që sa më parë të gjendet mundësia dhe të fillojë vaksinimi i të punësuarve të sektorit privat.