OAK-u kërkon kontrolle më të shpeshta nga Inspektorati i Tregut
Asgjësimi i mallit me afat të skaduar ishte tema kryesore e takimit të realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) dhe kryeinspektorit të Tregut, Lulzim Syla.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka kërkuar që kontrollet nga Inspektorati i Tregut të jenë më të shpeshta, pasi që kohëve të fundit kanë pranuar ankesa të shumta nga marketet lidhur me asgjësimin e mallit me afat të skaduar.
Sipas marketeve, aktualisht produktet me afat të skaduar mblidhen në depo dhe presin për rikthim tek prodhuesi apo distributori. Në momentin e kthimit të mallit, ka shumë raste kur nuk janë prezentë përfaqësues, qoftë nga Inspektorati i Tregut, Inspektorati Sanitar, ATK-ja apo edhe policia. Kthimi i produktit me afat të skaduar tek prodhuesi apo distributori, lejon mundësinë e keqpërdorimit siç është ndërrimi i datës së produktit dhe rikthimi i të njëjtit në treg.
Një veprim i tillë përveç që ndikon në shëndetin e gjithë shoqërisë tonë, njëkohësisht po vë në pozitë të palakmueshme marketet, pasi që dyshimi fillestar për këto keqpërdorime nga inspektorët bie tek marketet e jo tek prodhuesi apo distributori. Ndërsa, anëtari i bordit Hysni Zogaj ka kërkuar që asgjësimi të bëhet në vendin e ngjarjes, e jo në depo të furnitorëve.
Kryeinspektori i Tregut, Lulzim Syla, ka përgëzuar OAK-un për punën e bërë deri më tani, duke shtuar që bashkëpunimi është shumë i nevojshëm, në mënyrë që të krijohen kushte sa më të favorshme për të bërit biznes në vend. “Është shqetësuese të dëgjosh që ende kemi prezentë raste të tilla, dhe vlen të theksohet që ne si Inspektorat jemi duke pranuar kërkesa të vazhdueshme për asgjësim të mallit dhe asnjëherë nuk hezitojmë të bashkëpunojmë në këtë aspekt”, ka thënë Syla.
Ai ka kërkuar bashkëpunim edhe nga marketet, që në raste të kthimit të mallit, t’i njoftojnë paraprakisht, në mënyrë që të jenë prezent në vendin e ngjarjes.
Sipas kryeinspektorit Syla, punën e Inspektoratit të Tregut po e vështirëson mos harmonizimi me komunat, pasi që sipas ligjit Inspektorët Komunal ani pse përdorin të gjitha resurset e Komunës, janë në dispozicion të Inspektoratit, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh në realitet. “Përmirësimi i kësaj linje të komunikimit, do të lehtësonte punën e Inspektoratit dhe do të bënte që bizneset të jenë të kënaqura”, është shprehur Syla.
Në këtë takim u bisedua edhe për kërkesat e Inspektoratit, ku OAK-u mund të lobojë tek institucionet.