OAK-u kërkon reagim më të shpejtë nga AKK-ja për konkurrencën jolojale
Përfaqësues të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) janë pritur në takim nga drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Sakip Imeri.
Kryetari i Bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi, ka thënë se bashkëpunimi me AKK-në deri më tani nuk ka munguar, pasi tash e dy vjet kanë një memorandum bashkëpunimi dhe vazhdimisht adresojnë kërkesa për çështje që pengojnë bizneset dhe janë në kuadër të këtij institucioni. Ai ka theksuar se OAK-u ka një vit që ka adresuar tek AKK-ja kërkesën e sektorit të operatorëve kabllorë lidhur me konkurrencën jolojale dhe daljen në treg të ofertave me çmime nën kosto, mirëpo ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Ndërsa nënkryetari i Bordit të OAK-ut, Arsim Selmonmusaj, ka kërkuar që të mos lejohet vendosja e çmimeve nën kosto të prodhimit, pasi që kështu po vështirësohet zhvillimi i bizneseve dhe po krijohet klimë e pafavorshme për të bërit biznes në vend.
Ndërsa pronari i biznesit “Furra Saranda”, Artan Qenaj, e ka informuar Imerin për problemet me të cilat ky sektor po përballet për shkak të konkurrencës jolojale.
Kurse drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Sakip Imeri, është zotuar se brenda një afati sa më të shkurtër kohor do të dalin me përgjigje zyrtare ndaj kërkesave të adresuara nga OAK-u.
Krejt në fund, drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut, Bashkim Millaku, ka thënë se AKK-ja mund të dërgojë vetëm opinione për çështje të ndryshme tek institucionet vendore, pasi nuk ka autoritet ekzekutiv. Përjashtim nga kjo bëjnë hulumtimet.
/Epoka e re/