OAK-u shpreh shqetësim për rritjen e tarifave nga bankat komerciale
Kamata prej 5 për qind për kthimin e parave të imëta, tarifat e larta të bankave komerciale për deponimin e të hollave, numri i ulët i bankomatëve dhe numrit të degëve të bankave, provizionet e posave dhe mundësia kufizuar e deponimit të parave cash në ATM, ishin disa nga çështjet që u ngritën në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti dhe zyrtarin Arben Mustafa.
Fillimisht, kryetari i bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi, ka falënderuar guvernatorin për takimin duke shprehur gatishmëri për informimin lidhur me problemet që po ballafaqohen bizneset me bankat komerciale në vend, shqetësime këto të cilat OAK-u i ka pranuar nga bizneset anëtare.
Çështja e përmendur në takimin e kaluar rreth tarifës prej 5-8 për qind për kthimin e parave të imëta në të letrës është adresuar përsëri për shkak të kërkesës së madhe të bizneseve për uljen e kësaj tarife dhe si pasojë e mos marrjes së ndonjë përgjigje nga ana e BQK për këtë kamatë.
Krasniqi ka theksuar se është shumë e rëndësishme që të krijohen politika të mira financiare në mënyrë që të përmirësohen kushtet e të bërit biznes në vend. “OAK-u vlerëson që problemet e lartcekura të bizneseve në raport me bankat komerciale, dhe problemet e tjera të evidentuara të cilat do të përcillen me shkrim në BQK, jo vetëm që po shkaktojnë mosardhje të investitorëve të huaj, por po ndikojnë edhe në mos rritje të mirëqenies dhe mungesë të zhvillimit ekonomik”, ka thënë Krasniqi.
Drejtoresha e Rrjetit të Shitësve me Pakicë Yllka Metaj, ka theksuar disa nga problemet që ky rrjet ka evidentuar, e të cilat kanë të bëjnë me: unifikimin e posave e cila do të lehtësonte shumë bizneset që ajo përfaqëson, Swift fees për visa dhe master card si dhe përqindja e pagesës në POS-a të bankave të ndryshme, e cila shihet si një barrierë tjetër që duhet të eliminohet.
Gjithashtu, përfaqësuesi i biznesit ISP Broadcast, Qëndrim Kryeziu ka shprehur problemet që ai po ballafaqohet me bankat komerciale, e që kanë të bëjnë me kostot e deponimit të mjeteve, rritjen e kostove për shërbime, siguria gjatë deponimit në ATM si dhe kufizimin e shumës dhe përshkrimit për deponimet që realizohen nga bizneset në ATM.
Ndërkaq, guvernatori Fehmi Mehmeti ka theksuar që tashmë një kohë po merren me krijimin e tarifave të bankave që do të vendosen në rregullore për produktet bazike dhe që do të vlejë për të gjitha bankat komerciale si dhe kanë filluar punimin në unifikimin e POS-ave.
Ai ka kërkuar që të gjitha bizneset t’i adresojnë problemet në divizionin e ankesave në Bankën Qendrore të Kosovës, për të cilat pastaj do të ndërmerren hapat e nevojshëm.