OAK-u: Të lirohet lënda e parë për prodhuesit

07 janar 2019 | 15:11

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka kërkuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, dhe ministri i Financave, Bedri Hamza, që ta lirojnë lëndën e parë për prodhuesit vendor ashtu siç është e paraparë me Ligj.

Sipas OAK-ut, arsyeja e kërkesës është ankesa e prodhuesve lidhur me lirimin nga TVSH-ja e lëndës së parë. “Çdo fillim të vitit, prodhuesit vendor obligohen të aplikojnë në ATK për lirim nga TVSH-ja për lëndën e parë të importuar, ndërsa pas aprovimit të saj fillon edhe zbatimi në Dogana. Vitet paraprake shqyrtimi i kërkesave është bërë për një periudhë më të shkurtë kohore, gjë që nuk i ka penguar bizneset në vazhdim të prodhimit”, është thënë në njoftimin e kësaj ode.

OAK-u ka bërë me dije se këtë vit bizneset po përballen me probleme pasi që për shkak të mosshqyrtimit të këtyre kërkesave lënda e parë ka mbetur pa kaluar në Doganë dhe si pasojë bizneset po detyrohen të paguajnë për qëndrimin e kamionëve dhe frigoriferëve në terminale, si dhe po krijojnë edhe pengesa në prodhim. “Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të merren masat e nevojshme për këtë problem. Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon që të përkrahen prodhuesit vendor, duke ju lejuar që të bëjnë futjen e lëndës së parë në Doganë derisa të shqyrtohen aplikacionet nga ATK-ja. Gjithashtu, OAK kërkon që kjo procedurë të hiqet ashtu që të mos obligohen bizneset të aplikojnë çdo vit”, është theksuar në njoftimin e OAK-ut.

Kjo kërkesë i është drejtuar edhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shpesh në rrjete sociale, e sidomos në “Instagram” nisin sfida…