OAK: Vjedhjet ndaj bizneseve, rrezik për investime në Kosovë
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka pritur të martën në takim përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës të kryesuar nga kryetari i bordit të OAK-së, Skender Krasniqi, nga i cili është informuar për shqetësimet e afaristëve në lidhje me vjedhjet e shumta që po ndodhin kohëve të fundit nga persona të pa ndërgjegjshëm.
Krasniqi kërkoi nga ministri Sefaj që të merren parasysh shqetësimet e afaristëve, pasi kjo dukuri është në rritje dhe dëmi që po pësojnë bizneset po janë të mëdha.
Ndërsa, Lulëzim Begaj, anëtar i bordit i OAK-ut, njëherësh pronar i “Kosmonte Foods”, e njoftoi ministrin Sefaj me raste konkrete të plaçkitjeve në pronën e tij, por edhe të bizneseve tjera.
Ai po ashtu foli edhe për pasigurinë që po e kanë pas vjedhjeve të mëdha që po u bëhen atyre. Begaj, u shpreh shumë i indinjuar nga mos efikasiteti i organeve të drejtësisë për zbulimin e rasteve.
Edhe përfaqësuesi i “Elkos Group”, Arsim Selmonmusaj, tregoi për nevojën imediate të përmirësohet gjendja e sigurisë e me theks të veçantë për sektorin privat.
Nga ana e tij, ministri Sefaj premtoi se do të mundohet t’i adresojë të gjitha kërkesat e tyre, pasi është mjaft i interesuar që të ofrojë një ambient sa më të sigurt për biznes, duke qenë se afaristët janë ata që krijojnë mirëqenien dhe zhvillimin ekonomik.
Në takim u diskutua edhe për mundësit e pajisjes së sigurimit me armë, në mënyrë që të kenë mundësi të mbrojnë pronën ku ata mbikëqyrin. Ndër të tjera u kërkua që të vihet në prioritet zgjidhja e rasteve të bizneseve pasi kjo po krijon pasiguri për të investuar më tutje.