Oazë e kujt është Kosova?
Sylejman Krasniqi
– Vija e Teodosit rishfaqet, nga do t’ia mbajnë shqiptarët?
Ka tri vjet që politika në Kosovë po merret me rehatimin e fqinjëve dhe nuk po i shikon problemet e veta të brendshme. Që nga gjysma e parë e vitit 2015 qeveritë tona bëjnë gara se cila do të jetë më besnike ndaj nënshkrimeve të vëna në Bruksel nga krerët e shtetit tonë. Dhe qeveritë ndërrohen njëra pas tjetrës sikurse “kuleçtë e qirave” me të vetmin qëllim – që të tregohen se cila është më e moderuar se tjetra për përmbushjen e premtimeve ndaj të huajve.
Kurse në fushata parazgjedhore e shtirrnin gurmazin duke e premtuar zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e popullatës dhe me përkushtim thoshin se do t’i krijojnë mbi 350 000 vende pune dhe se do të hapin universitete në të gjitha qytetet e Kosovës. Bile pati edhe të tillë që premtuan universitet edhe në Lluzhan të Llapit e në Shtime të rrafshit të Kosovës. Më i sinqerti dhe më i besuari nga të gjithë ishte Behgjet Pacolli, i cili premtoi se do ta zhvendosë Universitetin e Prishtinës nga aty. Dhe ky premtim i dhurohej dikujt…!? Por është e sigurt se këtë zhvendosje nuk do ta bënte për hatër të Marecit e as të Kosovës…
Pas zgjedhjeve, partitë bënin turr e vrap se cila do të jetë më me “fat” për të marrë pjesë në tepsinë e qeverisë dhe cila do të tregohej më besnike ndaj të huajve, duke i lënë anash (besa edhe në harresë) premtimet para zgjedhësve të vet. Vijat e kuqe shkriheshin edhe natën(!) vetëm për ta zënë pritën para tjetrit. Para zgjedhjeve griheshin e vriteshin mes vete e pas shpalljes së rezultateve futeshin në koalicione si miqtë më të mirë. Bile, për t’i zbutur inatet, ndihmonin edhe vëllezërit tanë nga gjaku, por edhe të huajt për miratimin e afrive në koalicione.
Bëri krejt çfarë mundi të bënte dhe një natë vonë, pasi u kthye nga vëllai i madh (dhe me porosi të tij, të kryetarit të Shqipërisë), e mundi veten dhe u fut në koalicion qeverisës për ta “shpëtuar” Kosovën nga kriza qeverisëse!? Pastaj nuk vonoi shumë dhe gati të gjitha partitë që ishin në pritje u radhitën për ta ndarë tortën e qeverisjes së vendit. Tani nuk kishte rregull në ndarjen e tepsisë. Me rëndësi ishte vetëm vullneti dhe dëshira për ta “shpëtuar” vendin nga ngërçi politik dhe përmbushja e premtimeve ndaj miqve tanë të jashtëm.
Tepsia qeverisëse u nda në mënyrën më të çuditshme. Aty nuk pati plotpjesëtim sipas fuqisë së votës, por grabitje të posteve sipas muskujve. U desh që të ngopen të gjithë të uriturit për pushtet. Kryeministri e filloi punën me stupc në krah! Menjëherë e shkarkoi komisionin e Murat Mehës për demarkacionin. E caktoi një komision profesionistësh. Opinioni i gjerë mendoj se, më në fund, do të kthehet e mbara në këtë vend. U përgatitën planet dhe strategjia për miratim në Kuvend të demarkacionit, por nuk i kishin punët mirë me numra. Ato duhej të siguroheshin, përndryshe do të bëheshin horë para botës. Besa e dhënë të huajve nuk bën të shkelet. U desh të investohej shumë në ndërhyrje në njërën parti kryeneçe të opozitës në mënyrë që të sigurohej një votë e vetme për të kaluar në Kuvend. Paraja e çon ujin përpjetë, thoshin të parët tanë. Kur kësaj ia shtojmë edhe shantazhimin dhe kolonën e pestë brenda, suksesi ishte i garantuar.
Pati paralajmërim partia kryeneçe nga kryetari i Kuvendit kur ai iu kërcënua botërisht në sallën e Kuvendit se “…do ta shihni ju në muajin janar se çka do të ndodhë me ju”. Dhe vërtet ashtu ndodhi. Trembëdhjetë deputetë e lëshuan rrugën e opozitës dhe iu mbathën pushtetit në mënyrën më dinake të mundshme. Kurse partia paqësore rrinte me një këmbë për ta votuar demarkacionin sepse kishte hise edhe ajo në këtë marifet, edhe pse ishte në opozitë. Kishim “investuar” shumë mund në demarkacion nëpërmjet Murat Mehës dhe ekipit të akademikëve. Kishin humbur shumë kohë sa ishte kryeministër kryetari i tyre i partisë. Pas disa seancave të Kuvendit dhe pas disa ndërprerjeve nga gazi lotsjellës, demarkacioni u miratua mezi me një votë të paguar shtrenjtë.
Miratimi i demarkacionit në kushte të jashtëzakonshme përngjau shumë edhe me zgjedhjen e kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçit, në fund të vitit 2014 dhe me zgjedhjen e kryetarit të Shqipërisë, Sali Berishës, në vitin 1996. Pra, si po duket, ne po u dashka që çdo gjë ta bëjmë në situata të jashtëzakonshme. E jashtëzakonshmja neve do të na bëhet e zakonshme. Sepse që nga 2 prilli i vitit 1981 e deri më 11 qershor të vitit 1999 kemi qenë në gjendje të jashtëzakonshme. Tashmë jemi bërë imunë në të jashtëzakonshmen, kurse e zakonshmja na bëhet e padurueshme dhe e pazakontë.
Java që e lamë pas ishte shumë e bujshme për politikën dhe popullin e Kosovës. Ndodhën ngjarje të paparashikuara për opinionin. Të tilla ishin edhe për një pjesë të politikës, por pjesa tjetër i kishte parapa dhe dyshohet se edhe i kishte përgatitur skenarët për këto ngjarje. Tre faktorët kryesorë të pushtetit thuaja se nuk kishin koordinim mes vete, ose bëheshin si të tillë!? Mundoheshin se cili cilit do t’ia lëshonte në dorë pataten e nxehtë.
Kështu, më 26 mars ndodhi arrestimi i Marko Gjuriqit, drejtorit të së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Arrestimi u bë në mënyrë mjaft spekakulare. Kjo ndodhi të nesërmen e darkës së shtruar mes kryetarit të Serbisë dhe kryetarit të Kosovës. Për këtë arrestim nuk kishin dijeni disa segmente të pushtetit! Ose ndoshta ashtu vetëm paraqiteshin para opinionit!? Gati sa nuk u ngatërruan edhe kompetencat mes kryeministrit dhe zëvendësve të tij.
Koha e kurdisur e vizitës së Marko Gjuriqit në Kosovë dhe spektakli i arrestimit të tij, të bën të dyshosh në ndonjë skenar të mirëpërgatitur nga njëra palë ose nga të dyja palët bashkë. Se çka pritet dhe çka fshihet pas këtij operacioni spektakular mbetet të shihet. Në opinion mendohet se janë dy arsyet e këtij spektakli: arsyeja e parë është që të harrohet demarkacioni dhe të mos përmendet liberalizimi i vizave (nën trysninë e të cilit u mundua të bindet opinioni dhe deputetët për miratim të demarkacionit) dhe arsyeja e dytë mund të jetë trysnia për ta filluar formimin e “Zajednicës”. E, si po shihet, qëndrojnë të dyja këto parashikime.
Në vazhdën e befasive, vetëm tri ditë pas rastit të arrestimit të Marko Gjuriqit, u deportuan, u ekstraduan, u kidnapuan, u arrestuan, ose u grabitën nga shërbimet sekrete turke për në Turqi, gjashtë qytetarë turq të cilët ishin mësimdhënës në Kolegjin “Mehmet Akif” në mënyrën më misterioze. Për këtë rast Qeveria nuk kishte pasur njohuri fare. Prapë faktori politik e shtetëror i Kosovës doli i përçarë dyzash!? Nuk dihej se kush i ka arrestuar e as kush i ka deportuar dhe me leje të cilit organ të shtetit të Kosovës? Dhe kur kryeministri i shkarkoi nga detyra ministrin e Brendshëm dhe drejtorin e AKI-së, erdhi edhe kërcënimi i kryetarit të Turqisë për kryeministrin e Kosovës, njëkohësisht i bëri lëvdata kryetarit të Kosovës për ndihmesën e dhënë për deportimin e qytetarëve turq për në Turqi.
Në Kosovë u krijua një kaos politik dhe mediatik i paparë ndonjëherë në këto anë. Flitet se nuk ka ndodhur kurrë në asnjë shtet të botës arrestime dhe deportime të këtij lloji. Kryetari i Kosovës në konferencën për medie, të deportuarit i quan terroristë pa dhënë asnjë fakt të vetëm. Me këtë rast u shkel e drejta elementare e shtetasve turq dhe tanimë nuk mund të parashikohet fati i tyre. Kjo nuk përkon me të drejtën kanunore shqiptare, por as me ndonjë konventë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në manifestimin e Pashkëve në katedralen Shën Nëna Terezë, Dodë Gjergji e tha thelbin e këtij veprimi “Këta që kanë pre mikun në besë, të gatshëm ta dorëzojnë edhe kryeministrin”. Për habinë tonë, kryemyftiu i Kosovës Naim Tërnava nuk e foli asnjë fjalë për këtë ngjarje, edhe pse radha e ka dashtë që ai të prononcohej para Dodë Gjergjit.
A do ta forcojmë identitetin tonë evropian apo do të rrëshqasim stepave afrikane-aziatike?
Dy-tri ditë para ngjarjes me shtetasit turq u mbajt gjykimi i imamit të xhamisë së Madhe të Prishtinës, Shefqet Krasniqit, i cili akuzohej për organizim të shkuarjes në Siri për pjesëmarrje në luftë në krah të ISIS-it të qytetarëve nga Kosova dhe për nxitje të terrorizmit. Ai u lirua nga gjykata i pafajshëm.
Këto ditë u mbajt seanca gjyqësore ndaj grupit të ashtuquajtur “Syri i popullit” të cilët akuzohen kinse për terrorizëm. Gjykimi u shty për një ditë tjetër.
Qeveritarët tanë (edhe gjyqësia e Kosovës) me endje e përdorin termin terrorist për pjesëtarët e kombit shqiptar, sidomos për rivalët politikë, që nuk ndodh askund në botë. Këta më së paku kanë të bëjnë me terrorizmin. Këtu kam parasysh dr. prof. Sadri Ramabajën, një nga të akuzuarit e këtij grupi, i cili nuk ka të bëjë asgjë me terrorizmin, përpos nëse mund të quhet i tillë vetëm pse tërë jetën ka vepruar dhe punuar për çlirimin e vendit të vet dhe për formimin e një shteti të mirëfilltë shqiptar. Mëkati i tij mund të jetë, ndoshta, pse ka qenë pjesëtar i LPK-së, e dihet tanimë se LPK-ja e ka qenë ideatorja dhe themeluesja e UÇK-së. Kjo, si duket, nuk u shkon përshtati pushtetarëve tanë. Prandaj edhe dëshirojnë të humbet çdo gjurmë e LPK-së dhe kështu historia të merret se fillon vetëm prej tyre.
Nëse analizohen me sy kritikë këto ngjarje të dy javëve të fundit, me të drejtë qytetari i Kosovës pyet se nga po e çon politika të ardhmen tonë? A e kemi të trasuar rrugën tonë të drejtë apo ajo është ende në kërkim e sipër? Nëse edhe sot hamendemi se nga do t’ia mbajmë, medet për ne se kush po na prinë. A nuk morëm përvojë të mjaftueshme nga sundimi pesëqindvjeçarë anadollak dhe gati njëqind vjet nën thundrën sllave? A nuk e morëm seriozisht porosinë e Frashërllive se “…dielli për shqiptarët lind atje nga perëndon”. A nuk morëm mësim nga gabimi i Sali Berishës kur na anëtarësoi në Konferencën Islamike? A do të sillemi europiançe apo do të kthehemi me nostalgji tek turko-arabët apo tek stepat aziatike?! A jemi të vetëdijshëm se sa i ngushtë është bashkëpunimi islamo-ortodoks kundër qenies shqiptare?
Këto veprime e vënë në pikëpyetje edhe orientimin politik të Kosovës në vlimet aktuale gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe mund të ketë pasoja të papërmirësueshme në marrëdhëniet me miqtë tanë. Këtu i kam parasysh ndërhyrjen në zgjedhje të Rusisë në ShBA dhe në disa shtete të fuqishme të Evropës si dhe ndërhyrjet në vitet e fundit për t’i destabilizuar Maqedoninë dhe Malin e zi. Tani po shihet qartazi se radha është për t’i çrregulluar trojet shqiptare para se të futet në BE i tërë Ballkani. Ndikimi rus në këto anë ka gjasa të depërtojë sepse, si duket, edhe ka investuar mjaft tash dhe në të kaluarën. Tani po ndihet një afri e madhe mes Rusisë dhe Turqisë ose mes ortodoksizmit dhe islamizmit. Që të dyja këto rryma e kanë shtrirë ndikimin ekonomik dhe fetar në masë të madhe në këto anë. E ne, shqiptarët, kemi përvojë mjaft të hidhur nga Perandoria Turke dhe ajo sllave, prandaj duhet t’i hapim sytë mirë që të mos biem edhe një herë nën ndikimin e tyre, por të veprojmë dhe të sillemi si evropianë që jemi.
Historia jonë shumë e bujshme nuk na lejon të harrojmë se sa të afërt janë islamizmi me ortodoksizmi. Nuk duhet ta harrojmë se nuk është rastësisht qendra, apo selia, ortodoksizmit në Stamboll e jo në Kremlin. Dhe kjo nuk është nga sot, por nga Epoka e Gjergj Kastriotit. Pra, që nga viti i largët 1458 kur nënshkruhet marrëveshja mes Sulltan Mehmetit të dytë dhe Patriarkanës së Stambollit (atëherë Kostandinopojës) e njohur si marrëveshja e miqësisë dhe bashkëpunimit mes fesë ortodokse dhe islame. Kjo marrëveshje asnjëherë në histori nuk është kontestuar e as rrezikuar për t’u anuluar ose rishikuar, por gjatë shekujve vetëm sa është kultivuar dhe begatuar, duke e trashë miqësinë e fesë islame dhe ortodokse. Nga ky moment sulltan Mehmeti i çon fjalë Gjergj Kastriotit dhe i thotë se “Kostandinopoja ra”, por Gjergji ynë ia kthen “Kruja jo”. Dhe të gjitha të zezat për shqiptarët kanë ndodhur nga kjo marrëveshje. Këto të zeza po na përcjellin edhe në ditët e sotme.
Shqiptarët kanë bërë shumë luftëra gjatë historisë. Shumë herë luftërat i kemi fituar, por pas luftës nuk kemi ditë të gjendemi dhe fitoret kanë ngelur të gjymta, ndonjëherë edhe jemi kthyer mbrapa. Epoka e Gjergj Kastriotit ka qenë fitore e plotë. Në Luftën e Dytë Botërore u orientuam drejt dhe fituam si kurrë më parë. Edhe lufta e UÇK-së doli e suksesshme dhe u bëmë me shumë miq, si asnjëherë deri tani. Pas ngjarjeve të fundit, të cekura më lart, po vihet në pikëpyetje gjendshmëria e elitës sonë politike. A do të shkojmë drejt forcimit të identitetit tonë evropian apo do të rrëshqasim stepave afrikano-aziatike?
Kam frikën se me këto sjellje të elitës sonë politike prapë do të rishfaqet tek ne Vija e Teodosit, por tani nuk dihet se nga do t’ia mbajnë shqiptarët?! Do të shkojnë rrugës së trasuar nga rilindësit tanë apo do të zhyten në batakun e orientit e për t’u mos u ngritur më kurrë?!