Obama dhe Clinton i dalin në ndihmë Bidenit
Presidentin amerikan, Joe Bidenit po i bashkohen dy nga paraardhësit e tij demokratë, ish-presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton, në një ngjarje për mbledhjen e fondeve për fushatën zgjedhore presidenciale.
Më shumë se 25 milionë dollarë do të mblidhen, një shumë rekord për një ngjarje të vetme politike.
Kjo shumë e madhe tregon mbështetjen e demokratëve për Bidenin në një kohë kur sondazhet tregojnë vazhdimisht rezultate të dobëta.
Presidenti do të testojë fuqinë e parave të fushatës kur të përballet me kandidatin kryesor presidencial republikan, Donald Trump, i cili tashmë dëshmoi gjatë fitores së tij në vitin 2016 ndaj demokrates, Hillary Clinton se nuk ka nevojë të mbledhë më shumë para për të fituar presidencën.
Ngjarja e Bidenit zhvillohet sonte në Radio City Music Hall në New York dhe pason udhëtimet e fundit të fushatës së presidentit aktual.
Me biletat e shitura për rreth pesë mijë njerëz, stafi i fushatës së 81-vjeçarit dërgoi email për mbledhjen e fondeve duke u ofruar mbështetësve mundësinë për të parë ngjarjen në internet në këmbim të një donacioni. Çmimet e biletave për këtë ngjarje ndryshojnë nga 225 dollarë deri në 500 mijë dollarë.
Pjesa kryesore e mbrëmjes do të jetë një bisedë me Bidenin, Obaman dhe Clintonin, ndërsa moderator do të jetë komediani amerikan i televizionit, Stephen Colbert.
Sa më shumë para japin, aq më shumë kohë kanë donatorët me presidentët. Një foto me të tre presidentët kushton 100 mijë dollarë. Për një donacion prej 250 mijë dollarë, donatori ka qasje në një pritje dhe për 500 mijë dollarë, qasje në një tubim edhe më ekskluziv.
Obama dhe Clinton po e ndihmojnë Bidenin të rrisë epërsinë tashmë të konsiderueshme në para të fushatës ndaj Trumpit.
Bideni deri më tani ka mbledhur 155 milionë dollarë krahasuar me 37 milionë dollarët e Trumpit.