Obama mbështet Bidenin për president
Ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama, do ta mbështesë ish-zv.presidentin, Joe Biden, për të fituar nominimin e Partisë Demokratike si kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2020.
“Joe ka karakterin dhe përvojën për të na udhëhequr në një prej kohërave tona më të errëta dhe të na shërojë”, tha Obama në një video 12-minutëshe të postuar sot në mediat sociale, raporton “REL”.
“Unë besoj se Joe i ka të gjitha cilësitë që na duhen për një president”, tha Obama, duke e quajtur zgjedhjen e tij, që të garojë së bashku me Bidenin në vitin 2008, si një nga vendimet më të mira që ka marrë ndonjëherë. Mbështetja nga Obama vjen një ditë pasi rivali i Bidenit në garën brenda demokratëve, senatori Bernie Sanders, tha se do ta mbështes ish-zv.presidentin në përpjekjen e tij për të mposhtur presidentin e SHBA-së Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Mbështetja e Sandersit, e cila ndodhi një javë pasi ai doli nga gara presidenciale, u konsiderua si një përpjekje për të konsoliduar Partinë Demokratike e cila është e ndarë në ideologji.
Ekzistojnë shqetësime se disa nga krahu i saj përparimtar nuk do ta mbështesin Joe Bidenin.