Obama: Refuzoni liderët që mbjellin urrejtje
Ish-presidenti amerikan Barak Obama i ka kërkuar amerikanëve të refuzojnë gjuhën që përdor cilido lider që ushqen urrejtjen apo normalizon racizmin.
Obama nuk ka përmendur shprehimisht asnjë emër, por komentet e tij erdhën pasi presidenti Donald Trump u përpoq të sheshonte kritikat se retorika e tij anti-emigrantë ka nxitur dhunën.
“Ne duhet të refuzojmë gjuhën që vjen nga goja e një prej liderëve tanë që ushqen një klimë frike apo urrejtje apo normalizon ndjenjat raciste; nga liderë që demonizojnë ata që nuk duken si ne apo që sugjerojnë se njerëz të tjerë, përfshirë emigrantët, kërcënojnë mënyrën tonë të jetesës, apo i referohen të tjerëve si nën-qenie njerëzore, apo aludojnë se Amerika i përket vetëm një lloji njerëzish”, ka deklaruar ai.
Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump tha se mes emigrantëve meksikanë kishte trafikantë droge, kriminelë dhe përdhunues. Kohët e fundit ai ka shkaktuar zemërim, duke sugjeruar se katër kongresmene me ngjyrë duhet të kthehen dhe të ndihmojnë në përmirësimin e vendeve të rrënuara, të infektuara nga krimi, nga ku kanë ardhur. Ai vetë, mohon që komentet e tij të jenë raciste.