Obama: Trump, mungesë lidershipi gjatë pandemisë
Teksa fushata për zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara po afrohet, po ashpërsohen tensionet politike mes demokratëve dhe republikanëve.
Ish-presidenti amerikan Barack Obama duket se tashmë është bërë pjesë aktive e fushatës në mbështetje të ish-zëvendësit të tij Joe Biden, kandidati i mundshëm për president nga radhët e demokratëve. Për të dytën here, Barack Obama lëshoi një mesazh plot akuza për keqmenaxhim të krizës së COVID-19 ndaj shefit aktual të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, i cili synon një mandat të dytë nën siglën e republikanëve.
“Më shumë se çdo gjë, pandemia grisi krejtësisht perden e idesë se në krye janë kaq shumë njerëz që e dinë mirë se ç’bëjnë. Shumë prej tyre, as që ia kanë idenë që kanë përgjegjësi. Që bota të shkojë më mirë, kjo varet nga ju”, ka deklaruar Obama, duke iu drejtuar online studentëve të diplomuar.