Obelisku dhe bustet e pesë kryeministrave
Shkruan: Blerim Latifi
Rruga nga Selaniku për në kufirin e Greqisë me Maqedoninë e Veriut, kalon midis një fushe të madhe, e cila në terminologjinë administrative greke quhet Fusha e Maqedonisë Qendrore. Në pranverë pamja e saj të impresionon me panoramën e mijëra hektarëve të mbuluar nga një shumëllojshmëri lulesh, në mesin e të cilave dallohet lulëkuqja.
Paralel me rrugën moderne shtrihet hekurudha, e cila në kohën osmane lidhte Kosovën me Selanikun. Pikërisht përmes saj Porta e Lartë dërgonte trupat e saj për të shtypur rebelimet e vazhdueshme që ndodhnin në Kosovë. Këtej erdhën divizionet e Dervish Pashës që e shtypën Lidhjen e Prizrenit me 1881 dhe ato të Shefqet Turgut Pashës që e shtypën dhe e masakruan Kosovën gjatë pranverës së vitit 1910.
Vetëm pak kilometra para kufirit të shfaqet një tabelë e madhe, në të cilën tregohet se aty ndodhet një monument historik. Është monumenti kushtuar betejave në atë që njihet si Fronti i Selanikut i Luftës së Parë Botërore.
I thash shokut tim se dua ta shoh këtë monument. Parkuam makinën anash rrugës dhe u ngjitëm në kodrën ku ndodhet monumenti. Pamja dhe ambienti në të dhe rreth tij, të japin përshtypjen e një monumenti që ekziston në kufirin midis kujtesës dhe harresës. Përveç obeliskut, me mbishkrime në anglisht, frëngjisht, italisht, greqisht dhe serbisht, pjesë e monumentit janë edhe bustet e pesë kryeministrave, atij të Britanisë Madhe, të Francës, të Italisë, të Greqisë dhe atij Serbisë, vetë Nikolla Pashičit. Ushtritë e drejtuara prej këtyre pesë kryeministrave u ndeshën në këtë fushë me ushtritë austro-hungareze e bullgare në verën dhe vjeshtën e vitit 1918. Austro-hungarezët dhe bullgarët pësuan disfatë të rëndë dhe me këtë Lufta e Parë Botërore mori atë rrjedhë të cilën tani na e rrëfen historia.
Serbia doli fitimtare nga kjo luftë. Në Paris, Londër, Romë e gjetiu kryeministri serb Nikolla Pashič pritej e nderohej si një hero, ndërsa imazhi pozitiv i Serbisë kishte kapur majat në publikun europian. Këtë status Pashiči dhe shteti i tij do ta shfrytëzonin për t’ua bërë ferr jetën fqinjëve, në radhë të parë shqiptarëve. Nga viti 1918 deri në vitin 1924 mbi 12 mijë shqiptarë do të vriteshin nga qeveria e Pashičit. Qindra-mijëra të tjerë do të dëboheshin nga Kosova dhe në fund do të bëhej edhe një marrëveshje midis Beogradit dhe Ankarasë për depërtimin total të shqiptarëve në drejtim të Anadollit. Askush nga aleatët e Serbisë të Luftës së Parë Botërore nuk ngriti zërin kundër kësaj politike gjeneocidale. Shumë vite më vonë Millosheviqi mendonte se këta aleatë historikë të Serbisë do t’i mbyllnin sytë kur ai do t’i shkatërronte përfundimisht shqiptarët e Kosovës, gjë që nuk ia kishin dalë ta bënin paraardhësit e tij, për shkakun se shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore ua pamundësoi këtë. Fatmirësisht ai u gabua rëndë në këtë përllogaritje.
Njëzet e ca vite më pas, dikur shërbëtori e tash pasardhësi i tij, Vuçiqi, në kushte dhe rrethana tjera, ringjalljen e statusit të Serbisë si e përkëdhelura e Evropës, po kërkon ta përdor sërish kundër Kosovës, por edhe për ta bërë të pacenueshëm regjimin autoritarist që e ka vendosur në Serbi. Rreziku në këtë rast qëndron në faktin se evropianët janë duke dhënë shenja të qarta se nuk i kanë marrë mësimet e duhura nga e kaluara ballkanike, e njëri prej këtyre mësimeve është se shkaku i problemeve themelore në Ballkanin perëndimor është trajtimi asimetrik i palëve, përkëdhelja e njërës palë dhe nënçmimi i të tjerave. Prej Kongresit të Berlinit( 1878) në Serbi përkëdhelja evropiane është kuptuar gjithmonë si një dritë jeshile dhënë Serbisë për t’u rënë në qafë fqinjëve të saj. Tash jemi dëshmitarë të faktit se viti 1999 nuk paska qenë fundi i këtij të kuptuari. Fatkeqësisht.
Zbritëm nga kodra e monumentit dhe u nisëm drejt kufirit. I thash shokut tim se ka shumë gjasa që ne të dy jemi të vetmit shqiptarë nga Kosova që kemi ndaluar në këtë vend, vend tek i cili duhet të ndalojmë për të kuptuar më mirë se sa keq, tmerrësisht keq, i kishim punët dikur, si Kosovë dhe si komb shqiptar në përgjithësi. Mbase duke e ndjerë këtë gjë, arrijmë të bëhemi më të kujdesshëm në ruajtjen e asaj që e fituam me 1999 dhe 2008.