OBELISKU I MIRËNJOHJES QË I MUNGON KOSOVËS (2)
Shkruan: Bedri Islami
Në vendet e Bashkimit Evropian kishte disa herë më shumë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, kishte shumë organizata e struktura, por nuk kishte një lob të njësuar, të fuqishëm, të shkëputur nga ndasitë që mund të pengonin, megjithëse edhe aty kishte ndarje, por që, pavarësisht se nga kishin ardhur, i bashkonte çështja e Kosovës.
Me këta njerëz, shpeshherë të fuqishëm ekonomikisht, me zë të veçantë në lidhjet politike amerikane, lobistë të presidentëve të ndryshëm amerikanë dhe në unison me stafet apo kabinetet e tyre, ishte takuar shpeshherë edhe zoti Holbrook.
Tema e shqiptarëve të Kosovës nuk kishte qenë një temë tabu për të dhe ai kishte marrë shumë më tepër nga takimet me këta përfaqësues të denjë të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës sesa nga raportet konfidenciale që i kishin ardhur nga të dërguarit e shtetit të tij.
Kjo kishte qenë një traditë shekullore e shqiptarëve të Amerikës që ishte forcuar apo zbehur në çaste të veçanta, që kishte kaluar apo jo përmes organizimit më të lartë të tyre, “Vatra”, e jo vetëm ajo, që kishte njohur vështirësi, por që, me kalimin e kohës, kishte marrë prioritetin e vendimmarrjes politike dhe të veprimit konkret.
Lobi shqiptaro-amerikan kishte pasur edhe ai luhatjet e veta. Përmes strukturave të ngritura në dy polet e saj ka pasur edhe përplasje. Jo gjithnjë ata kanë qenë të një mendje për zhvillimet në shtetin shqiptar, ku kishte pasur edhe mbështetës të regjimit të Hoxhës, ashtu si edhe kundërshtarë të ashpër të tij. Në vite të ndryshme disa ishin rreshtuar pas Nolit dhe të tjerë pas Konicës. Ndaj Kosovës nuk do të ndodhte kështu.
Pavarësisht se cili kishte qenë vendi i lindjes së tyre, Kosova, si një pjesë legjitime e shqiptarëve, kishte bashkuar edhe të pabashkuarit, kishte mundur një mendësi tipike të ndarjes krahinore shqiptare, kishte dalë mbi veçantitë e një mendimi, edhe kur ishte skajshmërisht ndryshe, dhe mrekullisht, ishte bërë strumbullar ndaj së cilës duhej mbledhur i gjithë mendimi politik, forca organizative dhe përparësia financiare e këtij lobi.
Viti 1998 nuk do të kishte pasur një fillim të tillë pa rolin e lobit shqiptaro-amerikan dhe, vetë politika e këtij shteti të fuqishëm, nuk do të kishte ndryshuar boshtin e saj pa pasur këtë indicie që e ka dhënë lobi i shqiptarëve aty.
Do të kthehem përsëri në rolin e këtij lobi, një rol tejet i fuqishëm, i domosdoshëm dhe, herë pas here, jetik. Shtetet e Bashkuara, më shumë se përmes fjalëve, kanë folur me shembuj. Pas bisedës së zotit Holbrook me përfaqësuesit e UÇK-së, Shtetet e bashkuara do të jepnin, thuajse njëkohësisht, dy shembuj sinjifikativë.
Më 29 maj 1998, kur lufta ishte tashmë fakt i kryer e, po ashtu, prania e luftëtarëve shqiptarë ishte shtuar, me nxitjen e lobit shqiptar në Amerikë, presidenti i ShBA-së, Bill Klinton, papritmas do të presë një delegacion të Kosovës, vizitë që ishte paralajmëruar nga zoti Holbrook. Takimi do të ndodhë më 29 maj 1998 dhe do të jenë edhe zonja Madeleine Albright, sekretare e Shtetit dhe zëvendësi i saj, Strobe Talbot.
Asnjë shtet tjetër perëndimor nuk kishte organizuar një pritje të tillë ndaj një delegacioni shqiptar të Kosovës, i cili përfaqësohej nga ajo që mund të quhej lëvizja paqësore për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Të drejtuar nga zoti Rugova, do të jenë edhe zotërinjtë Bukoshi, Agani e Surroi.
Pavarësisht prej qëndrimeve të tyre përgjithësisht, sidomos deri atë kohë, kundër lëvizjes për çlirim, fakti që ato priteshin në Shtëpinë e Bardhë, ishte një sinjal ndryshues dhe shpresëdhënës.
Fjalia e thënë publikisht nga zoti Klinton, menjëherë pas përfundimit të takimit, se “nuk do të lejohet një Bosnje e dytë për Kosovën”, jo vetëm konfirmonte rolin vendimtar të Amerikës, por ishte edhe vija e parë e kuqe që i drejtohej shtetit serb, i cili kishte ende kohë për ta mbledhur mendjen nëse nuk donte të merrte ndëshkimin e merituar.
E gjithë çka ndodhi më pas nuk do të mund të realizohej nëse nuk do të kishte në themelin e saj pikërisht këtë qëndrim të shtetit amerikan dhe të liderit të saj.
Disa kohë më parë, presidenti Klinton, në takimin me lobistë shqiptarë, ua kishte premtuar atyre se ShBA do të mbajnë një vijë politike të ashpër ndaj qëndrimit të shtetit serb, se shteti amerikan dhe qeveria e tij do të ishin pranë shqiptarëve në Kosovë dhe se, mbi të gjitha, qëndrimi i tyre do të nxiste edhe bashkërendimin me partnerët evropianë.
Kishte pra, një lëvizje të rëndësishme politike, nga takimet e lobistëve shqiptarë drejt Shtëpisë së Bardhë dhe, prej aty, drejt vatrave të luftës. Kjo lëvizje do ta merrte shfaqjen e saj më të madhe me vizitën e zotit Holbrook në zonat e luftës, që do të ndodhte një ditë të mërkure, më 24 qershor 1998.
Edhe më herët diplomacia amerikane kishte qenë e pranishme në zonat e luftës. Zoti Hill, më 8 qershor, kishte qenë në Dukagjin dhe kishte parë nga afër gjendjen e atjeshme. Shumë policë serbë, shumë shtëpi të djegura dhe asnjë shqiptar. Për më tepër, ai kishte filmuar djegien e një shtëpie të madhe dykatëshe në të dalë në Deçanit, që kishte ndodhur para syve të tij, dhe përmes telefonit satelitor, drejtpërsëdrejti, kishte informuar Uashingtonin se çfarë po ndodhte në një vend ku ishte i pranishëm.
Por, vizita e zotit Holbrook kishte një rëndësi tjetër, më të veçantë, për vetë faktin se dihej roli i tij, pesha e tij specifike në botën e diplomacisë. Si një diplomat i rrahur me politikën e përbotshme, ai kishte ngulmuar dhe kishte me vete dhjetëra gazetarë, ndoshta nga i gjithë Perëndimi, për të shpallur kështu, botërisht, se Shtetet e Bashkuara ishin përkrah luftëtarëve shqiptarë po aq, në mos më shumë, nga sa kishin qenë në përkrahjen e lëvizjes paqësore.
Zoti Holbrook do të ngulmonte në njësimin e faktorit politik shqiptar, duke shkuar edhe përtej asaj që diplomatë të tjerë, para tij, e kishin quajtur të arsyeshme. Ai do të shprehet se tani, me eskalimin e ngjarjeve dhe forcimin e faktorit politik ushtarak, “ideja për mbledhjen e Kuvendit të Kosovës, dalë nga zgjedhjet e 22 marsit, nuk është fort e qëlluar”, duke bërë edhe legjitimin e mendimit politik të UÇK-së, se “zgjedhjet e kaluara në Kosovë nuk i ka pranuar UÇK-ja”.
Fotografia e zotit Holbrook, në një dhomë në Junik, krahas Hajdin Abazit, i njohur me emrin e ilegales, Lum Haxhiu, poet dhe tashmë profesor universiteti, që atëkohë ishte një ndër zëdhënësit e luftës, bëri epokë, ajo u bë e njohur kudo dhe ishte shpallja hapur e politikës amerikane se, krahët kanë ndryshuar dhe se diplomacia amerikane do t’i mbështesë edhe këto forca që luftojnë.
Ishte hera e parë që, krejt haptas, zyrtarisht, në praninë e medies botërore, një zyrtar i lartë amerikan, i një kalibri botëror si ishte Ai, do të takohej me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në një fushëbetejë dhe këtë do ta shpallte në të gjithë botën.
Si kishte ardhur puna deri këtu dhe çfarë do të ndodhte më tej?
Cili ishte dhe si do të mbetej roli i lobit shqiptaro-amerikan në të gjithë këtë lëvizje ndryshuese dhe përcaktuese për fatet e një pjese të rëndësishme të kombit?
Kishte qenë kjo një lëvizje spontane, e nxitur nga shteti kriminal serb dhe politika shfarosëse e Millosheviqit apo, si ndodh me ujërat e nëntokës, kishte pasur edhe më herët një parapërgatitje për një qëndrim të tillë, që ishte përcaktues? Pse pikërisht, nga Shtetet e Bashkuara filloi gjithçka dhe jo nga vendet e Bashkimit Evropian, ku, në fund të fundit, ndodhej edhe Kosova dhe, mbi të gjitha, Kosova ishte një çështje evropiane?
Ku ndryshoi boshti i përkrahjes, erdhi në një ditë apo kishte rrjedha të tjera, që ngadalë, por ngulmueshëm, e kishin bërë këtë devijim, pa të cilin do të kishim pasur një gjendje fatale?
Shumë pyetja janë shtruar ndërkohë, secila prej tyre e ka një rrjedhë drejt lobit shqiptaro – amerikan dhe, ndonjëra prej tyre ka qenë definuese për shumë çështje të tjera.
Si e cilësova, ka një përdallim të ndjeshëm ndaj diasporës shqiptare në vendet e Bashkimit Evropian dhe asaj në Shtetet e Bashkuara.
Mërgimtarët shqiptarë në BE mbetën gjithnjë diasporë, ata nuk u bënë kurrë lob. Pra, mbetën shumësi, pa u kthyer në një cilësi politike, e ngjeshur dhe e menduar.
Të ardhurit shqiptarë në BE, shumica e të cilëve nga Kosova, më pak nga viset shqiptare në Maqedoni, edhe më pak nga Mali i Zi e krejt të paktë nga Shqipëria londineze, në shumicën e tyre ishin njerëz hallexhinj, me një nivel kulture të cunguar; zakonisht punëtorë që kishin lënë familjet në Kosovë dhe që filluan t’i tërhiqnin pas vitit 1989.
Ata, fillimisht u organizuan në klubet jugosllave dhe pak nga pak, duke u prirë njerëz me një vetëdije më të lartë kombëtare, krijuan klubet shqiptare, që, po ashtu, ishin të paktë. Ndihej influenca e diplomacisë së shtetit shqiptar në këto klube dhe tendenca e kthimit të tyre në vatra propagande për vetë këtë shtet. Duket si një paradoks politik, por, pikërisht në këto klube u grumbulluan shumë nga figurat që do të merrnin emër në lëvizjen e armatosur çlirimtare.
Të arratisurit nga Shqipëria kishin përgjithësisht hallin e tyre. Ata e shihnin Kosovën në përgjithësi si një vend ku kishte më shumë mundësi jetese dhe halli i tyre i parë ishte shembja e regjimit komunist në Shqipëri. Ishin në të drejtën e tyre, pasi ende vetëdija kombëtare nuk e kishte mundur vuajtjen politike.
Në Shtetet e Bashkuara ndodhte ndryshe. Atje kishte një traditë të hershme të organizimit politik, e po ashtu edhe një elitë politike shumë më të zhvilluar, më të ndërgjegjshme, më të organizuar dhe më të fuqishme ekonomikisht.
Mbi të gjitha, kjo elitë politike, pavarësisht të gjithave, kishte vendosur një përparësi kombëtare. Një shembull sinjifikativ ishte ai i profesor Abaz Ermenjit, një figurë tepër e njohur politike nga jugu i Shqipërisë, nga fshati Ermenj i Skraparit, kundërshtar i fuqishëm i regjimit në Shqipëri dhe sidomos i idesë komuniste, kundër së cilës edhe kishte luftuar; kundërshtar i fashizmit, që e kishte internuar dhe mbrojtës i idesë së Shqipërisë Etnike.
Ai ishte njeri me influencë të madhe në botën e mendimit politik shqiptar në Amerikë dhe kishte shumë dishepuj të mendimit të tij. Abaz Ermanji kishte njëqind e një arsye të luftonte kundër regjimit në Shqipëri dhe e bëri këtë, por si përparësi të jetës së tij politike ai vendosi zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Mendimi i tij, i shprehur publikisht, ishte se, “në Shqipëri do të kemi një ditë rënien e komunizmit, por problemi është Kosova e pushtuar nga serbët”, dhe kjo moto e tij, tepër e ndjeshme, u bë edhe moto e shumë shqiptarëve, njerëz që politikën nuk e kishin profesion, por që e bënë profesionin e dytë të tyre, duke u nisur nga ideja se, vetëm përmes një lobimi të fuqishëm, mund të gjendej zgjidhja e duhur.
Një hov të pazakontë mori ky lobim, që kërkonte shumë kohë, njohje, mundim dhe detyrime financiare të përballueshme nga vetë ato, sidomos pas vitit 1989, kur, edhe juridikisht Kosovës, i hiqet statusi i Autonomisë.
Le të kthehemi në këtë kohë dhe në rolin e lobimit shqiptar në Amerikë.
(Vazhdon)