OBELISKU I MIRËNJOHJES QË I MUNGON KOSOVËS (3)
Shkruan: Bedri Islami
Në Kosovë, menjëherë pas demonstratave dhe marshimeve të mëdha të vjeshtës së vitit 1989, ku kishte pasur shumë të vrarë, kishte nisur krijimi i një lëvizje politike, e cila do të njihej si Alternativa Politike Kosovare, mes të cilave, më e njohura dhe dominuese, do të ishte Lidhja Demokratike e Kosovës.
Drejtuesi i saj do të ishte kritiku dhe shkrimtari Ibrahim Rugova dhe, përreth tij, mjaft figura të njohura të botës akademike, të gazetarisë dhe artit e, më pas, do të bashkoheshin me të edhe shumë ish të burgosur politikë të Kosovës që do të ngjiteshin në elitën e lartë drejtuese të saj. Lidhja Komuniste e Kosovës, një filial faktik i Lidhjes Komuniste të Serbisë, do të shlyhej për pak ditë, sikur të mos kishte qenë, megjithëse pasojat e saj, do të ndiheshin disi më vonë.
Alternativa politike e Kosovës, që krijoi edhe një strukturë të përbashkët, ishte, si të thuash, pak ose aspak e njohur.
Perëndimi, në kohën kur po ndodhte ky proces në Kosovë, kishte halle më të mëdha me botën komuniste, e cila, edhe pse po shkatërrohej, do të sillte pas vetes disa nga problemet më të ndezura. Po ndodhte bashkimi gjerman, satelitët e shtetit dominues komunist, Bashkimit Sovjetik, po shkëputeshin njëri pas tjetrit, edhe brenda këtij gjëmëmadhi politik, BRSS, po krijoheshin detanta politike, por në qendrën e Ballkanit, këmbëngulësisht, një shtet po mbetej deri në fund një vend me pushtet komunist dhe diktatorial: republika e mbetur jugosllave, ku dominonte shteti serb.
Një alternativë politike e panjohur ishte fatale, por ajo nuk mund të bëhej e njohur vetvetiu, edhe pse ideja e saj e një lëvizje paqësore ishte joshëse. Liderët e saj ishin të njohur brenda Kosovës, por pak ose, aspak jashtë saj. Disa intervista të tyre në një periudhë të përplasjeve të ndjeshme nuk ishin të mjaftueshme për të bërë njohjen e tyre. Nga shtetet perëndimore evropiane ndihma ishte e vakët, në mos mungonte, pasi Kosova nuk ishte prioriteti i tyre. Për më tepër, nuk kishte as kush ia jepte. Ata i trembte jashtëzakonisht mundësia e krijimit, nga i njëjti komb, shqiptar, të dy shteteve shqiptare.
Përpjekjet e Ismail Kadaresë, duke nxitur polemikat, duke dërguar letra drejt presidentëve evropianë, sidomos francezë, ku ai jetonte, kryeministrave, apo edhe botimi special i Veprës letrare të Ibrahim Rugovës në Francë, me një parathënie nga ai vetë, nuk ishin të mjaftueshme.
Në letrën që Ismail Kadare i shkruan Presidentit amerikan, George Bush, më 1 shtator 1991, mes të tjerave, guximshëm, ai ngre besimin që shqiptarët kanë tek Shtetet e Bashkuara dhe besimin se tek populli shqiptar do të kenë një mik besnik të përjetshëm dhe se, “Ky është i vetmi popull në historinë e Evropës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy diktaturave më të egra që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë. Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lirë s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre”.
Dy profecitë e Kadaresë, njëra, për fat të mirë, angazhimi i ShBA-së në dobi të shqiptarëve dhe, tjetra, për fat të keq, masakra e përgjakshme, do të përjetohen në vitet 1998-1999.
Për të bërë, si të thuash, zgjimin e vëmendjes amerikane drejt Kosovës, do të përfshihej gjerësisht lobi shqiptar në Amerikë.
Ai mori përsipër, ndoshta pa e shpallur, të bëhej klasa e re e ambasadorëve të Kosovës në Amerikë dhe njëkohësisht përfaqësuesit e saj të parë diplomatikë.
Për një kohë relativisht të shpejtë ata, me investimin e tyre jetësor, si figura të nderuara dhe qytetarë të respektuar amerikanë, krijuan rreth vetes një elitë senatorësh dhe kongresmenësh amerikanë, të cilët i lidhën me Kosovën, gradualisht, përmes mendimit dhe fakteve, deri sa e bënë lidhjen e tyre të qëndrueshme dhe të dobishme.
Emra të njohur të politikës amerikane filluan të kenë interesim për Kosovën. Ata, edhe pse herë pas here kishin dyshimet e tyre, u bënë mbështetës të një lëvizje politike , krejt ndryshe nga sa kishte ndodhur deri asaj kohe në botën shqiptare, e cila nuk vuante nga mungesa e agresivitetit, të një lëvizje që mund të quhej gandiste, megjithëse kushtet ishin krejt ndryshe me Indinë e largët.
Këto senatorë dhe kongresmenë, emrat e të cilëve njihen tani, nuk u bënë vetvetiu të tillë. Ndoshta, ndonjëri, në fillimet e veprimit të tij mbështetës, kishte parasysh edhe këtë lobim si votues potencial, çka është e natyrshme në politikë, por, më pas, duke e njohur seriozitetin e këtij lobi, pastërtinë e figurës së tyre, duke njohur faktin se ata shtyheshin nga një ndjenjë atdhedashurie dhe se askush prej tyre nuk kishte interesa financiare në Kosovë, e bënë këtë një çështje të tyre.
Nga një mungesë, çështja e Kosovës filloi të shfaqej në Kongresin apo Senatin amerikan; nga një çështje e mbyllur, ajo filloi të hapej, ngadalë, por me ngulm; nga një harresë – ajo po fillonte të bënte një vend në kujtesën e politikës; pra, ndërsa po zgjohej, ndjente se tashmë nuk ishte më e braktisur. Ky ishte një mision i vështirë.
Deri asaj kohe klasa politike dhe lëvizja për pavarësi në Kosovë ishte njohur përmes dy tablove të ndryshme: klasa politike ishte e njohur si tolerante, ndoshta, në disa segmente të saj si bashkëpunuese e regjimit serb, ndërsa lëvizja për pavarësi, përmes shfaqjes së saj në marsin e vitit 1981 dhe tetor-nëntorin e vitit 1989, ishte shfaqur si agresive dhe, duhet pranuar, me tendencë marksiste, si një lëvozhgë për të fshehur irredentizmin e saj.
Lëvizja e re politike në Kosovë, që kërkonte të hiqte nga vetja këtë perceptim, pra si përfaqësuese e një lëvizje të re, thellësisht të re, tolerante ose bashkëpunuese me regjimin, ose thellësisht irredente, nuk mund ta bënte nga selitë e saj në Prishtinë.
U duheshin hapur dyert dhe, duke i hapur ato, së pari për të pranuar nga jashtë dhe, së dyti për t’u pranuar jashtë, në selitë diplomatike të Perëndimit, ajo mund të dëshmonte se dëshironte vërtet të gjente një zgjidhje aspak tipike ballkanike, pra jashtë luftës.
Lobi shqiptar në Amerikë, megjithëse i largët, e njihte më mirë se gjithë të tjerët këtë strukturë politike të Kosovës, pasi, mbi gjithçka tjetër, ata ishin njohës më të mirë të politikës dhe të nëntokës së saj.
Ata, duhet pranuar, ishin të parët që e dalluan këtë veçori dhe morën përsipër detyrën që, vetëm duke hequr këtë lëkurë politike që ishte vënë mbi lëvizjet politike në Kosovë, ata mund të bëheshin të pranueshëm dhe mund të ishin mikpritës.
Pra, duhej të hiqej ideja se Alternativa Kosovare nuk ishte asgjë tjetër veçse një lejim i pushtetit serb për të bërë një lojë pluraliste, pra të sillnin mendimin se liderët e rinj janë të besueshëm dhe mjaftueshëm për të qenë atdhetarë, dhe, së dyti, se, pas tyre nuk fshihej një lëvizje irredente, e vijës së majtë, e ngjashme me atë që kishte qenë në shtetin shqiptar.
Kjo është edhe periudha më e ngjeshur e lobimit në Amerikë nga shqiptarët, të cilët kishin krijuar brenda vetes elitën e saj politike.
Merita e tyre është se këtë e filluan nga poshtë, nga zyrat bashkërenduese të senatorëve e kongresmenëve, për ta ngjitur me përkushtim drejt vetë figurave të rëndësishme dhe për ta shpënë në zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.
Ky kalim, kaq i shpejtë, në një periudhë pak vjeçare, nuk kishte ndodhur me asnjë lëvizje tjetër politike, megjithëse kishte qenë më e shumtë dhe më e pasur. Nuk kishte ndodhur me irlandezët dhe nuk do të ndodhte as me lëvizjen separatiste baske ETA, për të mos përmendur këtu mohimin e bërë ndaj lëvizjeve ekstremiste kurde etj.
Rreziku që kishte mbi vete Kosova, e paraqitur nga politika dhe diplomacia serbe si vatër e konfliktit dhe e një treve të pacivilizuar, ishte shumë i madh dhe nuk mund të përballohej as nga shqiptarët e Kosovës, të sapoardhur në politikë, dhe as nga njerëzit e politikës në Shqipëri, të cilët ishin në hallin e tyre dhe nga të cilët, deklaratat paternaliste dhe irredente, vetëm mund të prishnin punë.
Është, po ashtu, një periudhë kur propaganda shoviniste serbe është në kulmin e saj hapësinorë. E shtrirë kudo, ajo ka vënë në lëvizje mendjet e saj të njohura, psikologë, shkencëtarë, gjeologë, historianë, shkrimtarë, mjekë, akademikë…të gjithë në përpjekjet e tyre mizore për të paraqitur shqiptarët e Kosovës si një popull barbar.
Njëri prej tyre, politikan e shkrimtar, që bëhet më pas edhe figurë qeveritare, Vuk Drashkoviq, në letrën dërguar Kadaresë, pikërisht në fillimin e kësaj përpjekje titanike, do të shkruante se “do të duhej të ftoheshin edhe psikologët e botës, që të vijnë në Kosovë dhe në Rrafsh të Dukagjinit, të hulumtojnë pse infermierët shqiptarë dhunojnë dhe mbysin lehonat serbe, pse mjekët i gjymtojnë fëmijët serbë… dhe që të verifikojnë hipotezat e veta, deri tani të pranuara, mbi përmasat e mundshme dhe të pamundshme të urrejtjes njerëzore… Fjala Kosovë për shqiptarët është gjeografi, kurse për serbët gurra e kulturës së tyre, është epi dhe feja, Alfa dhe Omega e ekzistencës së tyre”.
Kjo përballje me vërshimin demagog serb, nga të gjitha anët dhe që gjen jehonë në median historikisht të lidhur me të, si në Francë apo Rusi, është e vështirë të përballohet nga njerëzit e politikës në Prishtinë, e, po aq e vështirë, në mos e pamundur, nga ata pak intelektualë që jetojnë në Perëndimin Evropian. Kjo hapësirë evropiane, për fat të keq, ishte zënë prej kohe nga vërshimi i politikës serbe, ndaj duhej gjetur një hapësirë e re, po aq e fuqishme, në mos edhe më tepër se kaq, e paanshme deri asaj kohe, me një të shkuar mbështetëse ndaj historisë dhe kombit shqiptar dhe, ky vend, nuk mund të ishte askush tjetër veçse në Shtetet e Bashkuara.
Lobi shqiptaro amerikan e mori përsipër këtë ç’përrallosje serbe dhe kjo ishte ndoshta më e vështira që mund të hasej. Duhej çmitizuar njëra palë, për të bërë të besuar palën tjetër. Me dhjetëra intelektualë shqiptarë të Kosovës do të gjejnë një mjedis të gatshëm, përgatitur nga lobi shqiptar në Amerikë, për të shpallur idetë e tyre, për të demontuar një mit të farkëtuar mjeshtërisht nga politika serbe e të gjithë sistemeve; ata gjejnë në mjediset amerikane njerëzit e duhur për të dëgjuar mendimin e tyre, për të polemizuar, për të kundërshtuar, për të përhapur të vërtetën e tyre. (Vazhdon)