OBELISKU I MIRËNJOHJES QË I MUNGON KOSOVËS (4)

21 nëntor 2019 | 11:04

Shkruan: Bedri Islami

Nisja e luftës ishte një mision i vështirë

Kjo fillon e i bën ata më të besueshëm, heq prej tyre ndryshkun e mendimit se shqiptarët janë inatçorë, kokëshkrepur, mosdialogues, të paaftë, se janë njerëz që kënaqen me krimin dhe se serbët janë të vuajturit në Kosovë.

Nga mundësia e krijuar nga lobi shqiptar ata gjejnë rastin të dëshmojnë për krimet serbe në Kosovë, në shumë periudha; nga mosbarazia në jetë, edhe pse Kosova është plot resurse; ata ballafaqojnë mendimet e tyre për të ardhmen e Kosovës, të cilën e duan republikë të pavarur, por që ende nuk i kanë gjetur modalitetet.

Këtë hapësirë që e krijon lobimi shqiptar nuk mund ta kishte bërë asnjë urdhër zyrtar, asnjë vendim shtetëror, sepse këto janë gjëra që nuk kalojnë përmes urdhrave, por përmes besimit.

Pikërisht, besimin që kishin krijuar me autoritetet e tyre përfaqësuesit më të zëshëm të lobit shqiptar, e vendosën në themelin e njohjes së mendimit politik shqiptar në Kosovë, duke krijuar një lëvizje të dyfishtë: ardhjen e mendimit intelektual të shqiptarëve në Perëndim dhe dërgimin e njerëzve me emër të Perëndimit në Kosovë.

Kjo lidhje e dyfishtë, e bërë mbi besimin dhe financimin e këtij lobi, do të jetë edhe rruga e parë që ishte shtruar drejtë, me një mendësi krejt të re, të panjohur më herët në politikën shqiptare.

Kjo ndodhi sepse në brumosjen e këtyre njerëzve që u morën me politikë kombëtare, me dëshirën e tyre dhe jo si profesionistë, ishte krijuar mendësia e qytetarisë, e bisedës, dialogut dhe, po ashtu, ishte rritur ndër vite figura e tyre si njerëz seriozë, miq ose kundërshtarë të denjë.

Porta e parë që u hap për lirinë dhe shtetin e ardhshëm të Kosovës zuri fill pikërisht në përpjekjet e para të këtij lobimi, në vitet e zanafillës, që duke qenë e tillë, ishte e vështirë.

Figura të shquara të shqiptarëve të Amerikës fillojnë e dritëzohen. Ata bëhen shëmbëlltyrë e një përpjekje vigane, të pashoqe, pa asnjë lloj interesi financiar, veçori e skajshme e këtij lobimi dhe, njëkohësisht, mbështetës të çdo lloj lëvizje tjetër që mund të sillte pavarësinë e Kosovës.

Me figurën e tyre janë të lidhur edhe shumë emra të shquar të politikës së Shteteve të Bashkuara, të cilët, në një kohë të vështirë, u bënë zëdhënës të këtij lobi, njerëz të afërt të tyre, si një pikë mbështetje për atë politikë që po ndiqej në Kosovë.

Më pas, të njëjtët, ndoshta më të shumtë, do të bëhen mbështetës edhe të lëvizjes çlirimtare dhe, kjo ndodhte pasi ata e kishin qartësuar mendimin e tyre politik se, shqiptarët, në dhjetë vite, synuan të realizojnë ëndrrën e tyre përmes fjalës dhe, kur kjo nuk mbeti më asnjë mundësi tjetër, iu drejtuan luftës.

Nisja e luftës ishte një mision i vështirë. Megjithëse, synimi i saj, për një shtet të pavarur të Kosovës apo, edhe më tej, për bashkimin kombëtar, në gjithçka dukej i pamundur. Çlirimi i Kosovës nga pushtimi serb ishte vendosur edhe në programin politik të Organizatës së një grupi idealist shqiptarësh, Lëvizja Popullore e Kosovës, të cilën kam pasur nderin ta drejtoj në kohën e Luftës së Kosovës, të cilët besonin se kjo fillesë, do të sillte edhe ndërhyrjen e forcave të tjera perëndimore.

Si dukej dhe, si do të ndodhte më pas, ata nuk kishin qenë të gabuar në parashikimin e tyre të vitit 1993, në mesin e këtij viti, kur në Kuvendin e tyre, të quajtur Mbledhja e Katërt e Përgjithshme, përcaktuan vendimin për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Serbët ishin të sigurt, që në ditët e para të lëvizjes alternative në Kosovë dhe, më pas, me shfaqjen e UÇK-së, se kishte një bashkëveprim të plotë midis shqiptarëve dhe ShBA-ve. Një ide të tillë e kanë pasur edhe disa qeveri të tjera perëndimore. Nga ana tjetër, shqiptarët e dinin se kishte një bashkëveprim të ngutshëm dhe të hershëm mes Beogradit dhe Moskës dhe se nuk mund të gjenin bashkëpunues më të mirë se sa shtetin amerikan, historikisht mbështetës i lëvizjeve për pavarësi dhe dukshëm kundër politikës hegjemoniste ruse në Ballkan. Kosova, sidomos Mitrovica, duhej të ishte kufiri jugor i ndikimit rus. Dhe ashtu ndodhi.

Politika serbe kishte bindjen se, mes shqiptarëve dhe politikës amerikane, kishte gjithnjë një urë lidhje dhe se kjo urë do të jetë lobi shqiptaro amerikan, gjithnjë me ndikim të madh, i fuqishëm në mendimin politik dhe tepër i ndershëm për t’u korruptuar nga politika serbe.

Fillimi i luftës shfaqi një tipar tjetër të forcës së këtij lobimi. Figura vendosëse të këtij lobimi kishin krijuar lidhjet e tyre, disa më të hershme, si me presidentin Nikson, kujtoj këtu takimin e zotit Ekrem Bardha në Shtëpinë e Bardhë,i cili i kërkoi Presidentit Amerikan që të ndërmerrte çdo akt të mundshëm për të ndaluar ofensivën e qeverisë së kolonelëve grekë për aneksimin e jugut të Shqipërisë, takim i cili, si u dëshmua më pas, ishte ndjekur edhe Shërbimi i Sigurimit të shtetit shqiptar; takimet me presidentët Bush dhe Klinton, me senatorë dhe kongresmenë.

Dhjetëra figura të shquara, megjithëse përtej Atlantikut, e ndjenë shumë afër Kosovën, ajo u bë pjesë e tyre, mendim politik dhe veprim praktik, krijoi lidhje të reja, disa herë të furishme dhe shpesh herë të qëndrueshme; krijuan urat e një lidhje të ndërsjellë dhe Kosova tashmë ishte një çështje e hapur. Që duhej mbyllur, për të mos u hapur nga njëra dekadë në tjetrën.

Përmes figurës së tyre, ky lobim ndikoi në njohjen e duhur, të shpallur dhe të pranuar, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në ditët e zhvillimit të luftës do të jenë disa mijëra shqiptarë nga Perëndimi, të cilët, të organizuar do të kthehen në Kosovë për të qenë pjesë e luftës çlirimtare.

Asnjë kthim i tyre nuk do të kishte jehonë më të madhe në të gjithë botën, se Batalioni “Atlantiku” i shqiptarëve të Amerikës dhe kjo, mbi të gjitha, ishte simboli i një shembulli të madh përkrahje në një shtet të fuqishëm, i cili do bënte edhe historinë e së ardhmes së Kosovës.

Batalioni “Atlantiku” ishte domethënia e madhe e shtrirjes së mendimit politik dhe ushtarak shqiptar përtej Oqeanit; përtej oqeanit si koncept gjeografik, por më tepër si mendësi politike.

Kalimi i “Atlantikut”, edhe si forcë ushtarake, gjë që nuk mund të bëhej pa mbështetjen, qoftë të heshtur të politikës amerikane, ishte njëkohësisht edhe dëshmi se tashmë portat e Shtëpisë së Bardhë ishin hapur për të mos u mbyllur deri sa çështja të zgjidhet në përputhje me konceptin Perëndimor të lirisë dhe të të drejtave të kombeve për mëvetësi.

Ideja e mëhershme, e papranueshme pak vite më parë, për dy shtete me të njëjtën kombësi, po tejkalohej ngutshëm dhe kjo do të ishte hera e parë që do të ndodhte në Evropën e bashkuar si koncept, por e ndarë nga përvojat historike.

Në ditët e zhvillimit të punimeve të Konferencës së Rambujesë, në shtabin e ngritur jashtë Kështjellës, si mbështetje e veprimeve të përbashkëta, të cilin e drejtoja ato ditë, ndoshta nga më të parët që erdhën si forcë përkrahëse ishin shqiptarët lobistë nga ShBA.

Mes njërit kontinent dhe tjetrit ishin mijëra kilometra, por kjo kishte qenë pengesë e papërfillshme, për të qenë pjesë e atyre ditëve kur gjërat do të vendoseshin për një të ardhme historike të shqiptarëve si komb dhe të Kosovës si mëvetësi shtetërore.

Në pak çaste u krijua një klimë e përbashkët pune, që, në një mënyrë ose në një tjetër, përfaqësonte mendësinë bashkuese të shqiptarëve, pavarësisht vendit ku jetonin, të shkuarës politike apo aspiratave të tjera.

Nuk do të mund të harroj kurrë ato ditë, kur sallat e Kështjellës përcillnin tek grupet jashtë saj shqetësimin e madh të së ardhmes, kur draftet e paraqitura, fillimisht si sekret i kështjellës, diskutoheshin me zjarr jashtë saj, kur mendimet përcilleshin brenda kështjellës dhe trazimet pas takimeve me diplomatë perëndimor, të cilët kërkonin ndikimin e strukturës politike, krijuese të UÇK-së, tek të deleguarit në Kështjellë.

Mjediset ishin bërë si një qendër e vetme, më shumë komunikuese se gjithçka tjetër, nga ku mund të shihej se Kosova e kishte një të ardhme të saj.

U jam kthyer shpeshherë atyre ditëve, së bashku me angazhimet e pashoqe, do të thosha, të jashtëzakonshme të politikës dhe diplomacisë amerikane, të cilat, para vetes dhe shpesh herë, bashkë me to, kishin paraqitjen e dinjitetshme të lobit shqiptar në Amerikë, si parathënia e një gjendje të re dhe si epilogu i shumë viteve të mundimshme, të cilat po çliroheshin nga ankthi i pushtimit të pazakontë serbomadh.

Edhe sot mendoj se ky angazhim, që nga fillimi, tepër i sinqertë, pa dorashka dhe përkëdhelje i politikës së ShBA ndaj Kosovës ka qenë dhe mbetet guri themeltar, e domosdoshmja dhe përcaktuesja e një lëvizje politike, në të dy krahët e saj, qoftë përmes lëvizjes paqësore, qoftë përmes luftës çlirimtare.

ShBA kishin qenë të sinqertë, të hapur, nxitës dhe të pranishëm, por kurrë nuk kishin thënë se lirinë dhe pavarësinë do e sillnin dhuratë.

Kosova nuk u përfshi dhe as nuk u thirr në Dayton. Ajo mbeti jashtë vëmendjes dhe në këtë mënyrë zgjoi kundërshtitë dhe shqetësimin, jo vetëm të politikës në Prishtinë, por edhe të lobit shqiptaro – amerikan, për të ndërtuar një strukturë tjetër të veprimtarisë lobuese të tyre.

Në janar të vitit 1996, Rudolph Perina, shefi i Misionit diplomatik të ShBA-ve në Beograd dhe pjesëmarrës në Konferencën paqësore për Bosnjë-Hercegovinën, ndodhej në Prishtinë, në një takim me dyer të mbyllura me Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lideri i saj, Ibrahim Rugova, duke përmbledhur gjithë shqetësimin që varej mbi politikën e Kosovës, e pyeti përse Kosova nuk ishte thirrur në Dayton dhe përse ajo, pikërisht ajo, kishte mbetur jashtë vëmendjes së politikës ndërkombëtare.

Zoti Perina, edhe pse e ndjente se shqiptarët ishin në të drejtën e tyre, iu përgjigj drejtpërsëdrejti, pa lënë asnjë mundësi për një interpretim vetjak, se “Në Dayton janë ftuar ata që kanë luftuar”.

Si për t’ia vërtetuar zotit Perina se edhe në Kosovë mund të ishin pjekur për një luftë të re në Ballkan, kjo do të ishte e katërta për shtetin serb, një muaj më pas, në mënyrë të centralizuar, pra, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë, do të jenë njëkohësisht 12 aksione të UÇK-së, mbi kazermat dhe postat policore serbe të instaluara në Kosovë.

Ka pasur herë pas here vërejtje, sidomos nga analistë ballkanas, veçanërisht kroatë, përse Kosova nuk e hapi frontin e saj, që mund të quhej “Fronti i Jugut”, pikërisht në kohën kur shteti serb ishte i angazhuar në një luftë tjetër, pikërisht në Kroaci, i cili mund të quhej “Fronti Perëndimor”, duke e vënë makinerinë luftarake serbe mes dy zjarreve. (Vazhdon)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka treguar se…