“Objekti në Kukës që përmendet nga Specialja në aktakuzën ndaj Shalës, shërbeu vetëm si pikë grumbulluese për ushtarët e UÇK-së”
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala, u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestimit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Siç njofton Specialja, krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në Prizren sot jeton ish-komandanti i Brigadës 128 të UÇK-së, Ruzhdi Saramati.
Ai për RTV Dukagjinin tregon se si UÇK e mori këtë objekt në Kukës e që më pas shërbeu si pikë grumbullimi për ushtarët e rinj.
“Pasi u dha urdhri për mobilizim të përgjithshëm në UÇK, ai objekt shërbeu si pikë grumbulluese e ushtarëve të rinj. Pronarin e objektit e kemi njohur dhe për atë arsye ja kemi kërkuar objektin”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Saramati tregon për aktivitetet që kishte kryer UÇK-ja në atë objekt e që i njëjti po përmendet tash nga Gjykata Speciale në aktakuzën ndaj Pjetër Shalës.
“Në atë objekt përgatiteshin ushtarët e rinj. U visheshin me uniforma, informoheshin dhe u armatoseshin. Më pas përcilleshin në ndonjë qendër tjetër stërvitore”.
Mirëpo Prokuroria e Speciales në aktakuzën e saj pretendon se në këtë objekt janë kryer aktivitete krejtësisht tjera.
Gjykata Speciale i ka konfirmuar një aktakuzë Pjetër Shalës për krime të kryera në këtë objekt.
Mirëpo për Saramatin këto pretendime nuk qëndrojnë dhe ai thotë se të njëjtat I ka thënë edhe para hetuesve të Speciales si dëshmitarë.
Ish-komandanti i UÇK-së thotë se njerëzit paqësorë siç ishin pjesëtarët e UÇK-së nuk mund të bëhen me zor kriminelë.