O’Brien kërkon “përparim urgjent” për themelimin e Asociacionit
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës që të bëjë “përparim urgjent” sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Gjatë një takimi të zhvilluar në Gjermani me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, O’Brien që Kosova të lëvizë drejt integrimit euroatlantik duhet të zbatojë zotimet që dalin nga dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe mbështetet nga Uashingtoni.
“SHBA-ja mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të lëvizur përpara ne na duhet zbatimi i zotimeve të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, përfshirë edhe përparimin urgjent sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sot diskutova me kryeministrin Kurti për hapat pozitivë që janë të nevojshme”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.