O’Brien kërkon të dërgohet në Kushtetuese drafti i Asociacionit

21 tetor 2024 | 11:00

Draft-Statuti i Asociacionit duhet të miratohet nga Qeveria e Kosovës dhe të dërgohet për rishikim në Gjykatën Kushtetuese, ka kërkuar ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS).

O’Brien duke folur për pakicën serbe në Kosovë, në veri dhe jug, ka thënë se është e rëndësishme që “ata të jetojnë normal, si qytetar të Evropës”.

“Asociacioni është hap i rëndësishëm. Është e rëndësishme të ketë progres para se Asociacioni të themelohet. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normal, që të regjistrohen martesa e fëmijët, dhe punojmë në këto në të njëjtën kohë”.

“Obligimet kanë ekzistuar që nga 2015, kur u nënshkrua marrëveshja e parë, por ne s’mund të premtojmë afate, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë si qytetarë normal të Evropës”, ka thënë O’Brien.

Diplomati amerikan e ka parë si “interesim për të treguar fuqi” moskoordinimin e veprimeve të qeverisë kosovare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Por, për këtë ka pasoja, dhe më e madhja ishte që shtete të mëdha evropiane nuk e lanë Kosovën të anëtarësohej në Këshill të Evropës. Dhe krejt kjo për shkak se nuk ka koordinim”, ka thënë O’Brien.

Mes tjerash, ai ka kërkuar zbatimin e të gjitha marrëveshje të arritura në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe drejtoresha e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme Angelina Eichhorst do të qëndrojnë sot (e hënë) për vizitë në Kosovë.

Siç raportohet, dy zyrtarët e lartë do të takohen me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkohë, ata të dielën mbrëma patën një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq më Beograd.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çlirim Bobi nga Gjakova shpall të pavlefshme diplomën e shkollë…